Abadi: Iraku do t’i mirëpriste sulmet ruse ndaj ISIS

01/10/2015 00:00

Qeveria e Irakut nuk ka vonuar shumë dhe përmes kryeministrit Haider al-Abadi, ka mirëpritur këtë të enjte sulmet ajrore ruse kundër Shtetit Islamik, duke marrë ndërkohë edhe informacione nga Siria dhe Rusia mbi militantët e grupit xhihadist.

Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak prej më shumë se një viti, por Bagdadi ka theksuar në mënyrë të përsëritur mungesën e angazhimit dhe mbështetjes ajrore për forcat irakene, të cilat janë përpjekur të rifitojnë territoret e sunduara prej xhihadistëve.

Të mërkurën, avionët luftarakë ruse nisën sulmet ajrore në Sirinë fqinje, duke thënë se shënjestra e tyre ishin militantët e Shtetit Islamik dhe “grupet e tjera terroriste”.

Abadi, i pyetur nga televizioni francez “France 24” nëse kishte diskutuar me Rusinë mbi sulmet ajrore të tyre në vendin e tij, u shpreh se “Jo, ende jo. Por është një mundësi dhe, nëse do të marrim ndonjë ofertë prej tyre, ne do ta marrim në konsideratë dhe unë personalisht do ta mirëprisja atë”.

Avionët rusë që i janë bashkuar luftës kanë bombarduar një kamp stërvitor të rebelëve të trajnuar nga CIA, siç bëri të ditur komandanti i grupit, duke vendosur kështu Moskën dhe Uashingtonin në krahë të ndryshme, kundërshtuese të njëra-tjetrës, në konfliktin e Lindjes së Mesme, për herë të parë që prej Luftës së Ftohtë.

Top Channel