Pr/ligji i PD, PS rrëzon procedurën e përshpejtuar; Ruçi: Shkel Kushtetutën

01/10/2015 00:00

Propozimi i Partisë Demokratike për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar projektligjin për hetimin ndërkombëtar të skandalit të CEZ-it, ashtu siç ishte paralajmëruar, është rrëzuar nga Partia Socialiste.

Si rrallëherë, ky rrëzim ka ndodhur me një numër rekord abstenimesh. 54 ishin vota kundër procedurës së përshpejtuar, 50 pro dhe plot 12 abstenime, që të gjitha vota të LSI-së, e cila mes qëndrimeve të PS-së dhe PD-së ka zgjedhur një votë ndryshe. Vetë Ilir Meta, bashkë me Monika Kryemadhin, Petrit Vasilin, Agron Çelën dhe Kejdi Mehmetajn votuan pro kërkesës së demokratëve, ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve të kësaj force politike, 12 të tillë abstenuan duke u konsideruar në këtë rast një votë që i bashkangjitet qëndrimit të aleatit të saj, PS.

Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, akuzoi mazhorancën se përkundër atyre që thotë, nuk ka vullnet për hetimin ndërkombëtar të kësaj çështjeje dhe kërkoi që projektligji të futej të paktën në kalendarin 3-javor.

“Futeni të paktën në kalendarin 3-javor me shpresën që do dalë një skandal tjetër që do të mbulojë këtë skandal. Të paktën sa për formë votoni që ky projektligj i yni të hyjë në kalendarin 3-javor”, tha Paloka.

Gramoz Ruçi i qëndroi deklaratave të mëhershme dhe u kujdes të sqarojë se Partia Socialiste nuk është kundër projektligjit për hetimin ndërkombëtar, por kundër propozimit të PD-së për kalimin me procedurë të përshpejtuar të këtij projekligji.

“Edhe njëherë, grupi i Partisë Socialiste, duke patur parasysh që voton këtë dhe vetëm këtë, procedurën e përshpejtuar, e kundërshton, jo se nuk jemi kundër hetimit, por nuk na e lejon Kushtetuta e vendit, gjashtë vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Pra grupi i PS është kundër shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji”, tha Ruçi.

Në përfundim të votimit, kryeparlamentari Ilir Meta tha se projektligji do të kalojë me procedurë normale.

Top Channel