Lavrov këmbëngul: Rusia dhe SHBA-të, me shënjestra të njëjta në Siri

01/10/2015 00:00

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po luftojnë të njëjtat objektiva terroristësh në Siri, përfshi këtu Shtetin Islamik, bëri të ditur ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, gjatë një konference për shtyp të mbajtur këtë të enjte.

“Ne, sigurisht kemi disa pikëpamje të ndryshme mbi ngjarjet në rajon, por jemi të bashkuar të paktën në një drejtim. Jemi që të gjithë të shqetësuar në lidhje me rritjen e kërcënimeve terroriste në rajon”, tha Lavrov përpara gazetarëve, nga ambientet ku po zhvillon punimet Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.

Sa u përket shënjestrave të goditura, Lavrov theksoi edhe njëherë se Rusia ka “të njëjtën qasje”, ashtu sikurse dhe koalicioni i gjerë i ndërkombëtarëve, kundër “Shtetit Islamik, Al Nusras dhe grupeve të tjera terroriste”.

Duke iu përgjigjur raporteve se forcat ajrore ruse kanë bombarduar rebelët sirianë të mbështetur nga CIA, Lavrov u duk i vrenjtur në fytyrë. “Ju e theksoni këtë si një fakt. A mos dini ndonjë gjë më shumë sesa unë juve?”, u shpreh ai, ndërkohë që një reporter këmbënguli se ky informacion është dhënë gjerësisht në mediat ndërkombëtare. “Shumë gjëra raportohen gjerësisht”, iu përgjigj sërish ashpër kryediplomati rus.

“Rusia ka shënjestruar pikat e grumbullimit, armatimeve dhe vendstrehimeve të lidhura tërësisht me Shtetin Islamik”, u shpreh më pas me tone më të zbutura Lavrov.

“Kur disa shtete, ose një shtet bëhet objekt i një sulmi terrorist, ju nuk mundeni të largoheni nga vendi në mëshirë të fatit. Ndaj dhe duhet një veprim i koordinuar ndërkombëtarisht për këtë”, tha ai, në mbrojtje të sulmeve të papritura ushtarake që nisën të mërkurën.

Lavrov  u kundërpërgjigj edhe ndaj kritikave për sulmet ajrore ruse në Siri, duke theksuar se britanikët dhe francezët ishin shprehur se rusët kishin shënjestruar zona, ku “njerëzit po ideonin gjëra të këqija ndaj territoreve të tyre… pa pasur asnjë provë dhe asgjë konkrete”.

“Ndaj, mendoj se ju nuk mund të shmangni përshtypjen se bazat ligjore të aktiviteteve të koalicionit në Siri janë vërtet me të meta. Nuk mund të operosh diku pa pasur mandat nga Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara, nuk mund të aktivizohesh pa marrë fillimisht mirëkuptimin e vendit që do të preket nga sulmet”, shtoi ministri i Jashtëm rus. “Por, ne kemi parë që prej fillimit se, koalicioni u shpall në shkelje të plotë dhe duke bërë një gabim të rëndë, pasi nuk shkoi në Këshillin e Sigurisë. Një tjetër gabim ishte edhe mospërfshirja e qeverisë siriane në këtë luftë ndaj terrorizmit”, mbylli deklaratën e tij Lavrov.

Top Channel