Prokuroria austriake, hetime për biznesmenin e “Alpine Bau”. Ryshfet zyrtarit shqiptar

01/10/2015 00:00

Prokuroria austriake ka nisur hetimet ndaj një biznesmeni vendas, i cili në vitin 2012 dyshohet se i ka paguar ryshfet një zyrtari të lartë në Shqipëri. Lajmi bëhet publik nga rrjeti investigativ BIRN, i cili ka cituar burime zyrtare nga organi i akuzës në Austri.

Sipas BIRN, personi i hetuar është Dietmar Aluta-Oltyan, i cili ka qenë një nga figurat më të fuqishme në kompaninë “Alpine Bau”, një emër i njohur për publikun në Shqipëri.

Pak vite më parë kompania austriake, tashmë e falimentuar, u kontraktua nga qeveria shqiptare për ndërtimin e rrugëve Levan-Vlorë dhe Lvan-Tepelenë. Pikërisht për kontratën e dytë, atë të Levan-Tepelenë, kompania dyshohet se i ka paguar 575 mijë euro një zyrtari të lartë në Shqipëri, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Prokurorët austriakë dyshojnë se, drejtuesit e “Alpine Bau” kanë përdorur një kompani konsulence të regjistruar në Qipro, për të transferuar 575 mijë eurot në llogarinë e zyrtarit të lartë në qeverinë e e Shqipërisë.

Një zëdhënës i Prokurorisë i tha BIRN-it se, hetimi u hap këtë verë mbi 7 njerëz, përfshirë Aluta-Oltyan, për përvetësim, ndihmë në përvetësim dhe korruptim të një zyrtari të huaj. Sipas tyre, pagesat që “Alpine Bau” ka kryer në llogarinë e kompanisë qipriote “Windforce Estate”, nuk janë të justifikuara.

“Ka një dyshim se kompania qipriote nuk ka kryer asnjë shërbim apo punë, për pagesat që ka marrë nga ‘Alpine Bau’, çfarë do të thotë se pagesat u përdorën pjesërisht për të paguar ryshfete për zyrtarët shqiptarë”, citon BIRN burime nga Prokuroria austriake.

“Alpine Bau” është një emër i njohur për publikun shqiptar. Në vitet 2007-2008, kompania përfitoi disa kontrata për ndërtimin e segmenteve të rëndësishme rrugore në Shqipëri. Njëra prej tyre ishte rruga Levan-Tepelenë, e cila më vonë do të rezultonte një kontrata problematike. Rruga ishte parashikuar të përfundonte në vitin 2011, por “Alpine Bau” e braktisi atë dhe shpalli falimentin. Si rrjedhojë, rruga përfundoi vetëm këtë vit.

Top Channel