Përfundon misioni italian “antikanabis”; 1368 parcela të evidentuara në 36 fluturime

01/10/2015 00:00

Misioni italian i fluturimeve me avionë të posaçëm të “Guardia di Finanza”-s dhe Universitetit të Napolit për evidentimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike në Shqipëri ka përfunduar pas 4 muajsh veprimtari, nga qershori deri më 30 shtator të këtij viti.

Delegacioni italian, i përbërë nga pilotë, inxhinierë të fluturimeve ajrore, oficerë ekuipazhi të avionëve dhe drejtori i zyrës “Interforza”, Michele Grillo, të shoqëruar edhe nga atasheu ushtarak italian në Tiranë, Emiliano Aresu, është pritur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako në një takim falënderimi.

Në misionin katërmujor të fluturimeve, italianët zhvilluan 36 fluturime të koordinuar edhe me specialistë të Policisë së Shtetit, duke zbuluar 1368 parcela të mbjella me bimë narkotike në të gjithë vendin. Sipas njoftimit, Policia e Shtetit ka ndërhyrë në 99,6% të parcelave të evidentuara.

Kryepolici Haki Çako ka vënë në pah punën e shkëlqyer dhe bashkëpunimin unik të policisë italiane në luftën kundër fenomenit të kultivimit të kanabis sativës, e në veçanti në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar në përgjithësi.

Çako falënderoi Alessandro Pansa, drejtorin e policisë italiane, për mbështetjen operative të dhënë ndaj palës shqiptare, ashtu sikurse dhe dekanin Gambradella për teknologjinë e ofruar nga Universiteti i Napolit. Nuk kanë munguar falënderimet edhe për ambasadorin italian në Shqipëri, Massimo Gaiani, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj këtij bashkëpunimi.

Në anën tjetër, shefi i misionit të “Guardia di Finanza”, njëkohësisht edhe pilot ka falënderuar kreun e Policisë shqiptare për mundësinë e ofruar dhe theksoi se ka mbetur i mahnitur nga sinergjia dhe bashkëpunimi i shkëlqyer me Policinë e Shtetit shqiptar, që ndërhyri menjëherë pas identifikimit të parcelave të kultivuara me kanabis në Shqipëri.

Top Channel