OKB, Netanyahu: S’do ta lejojmë kurrë Iranin si fuqi bërthamore

01/10/2015 00:00

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu shfrytëzoi rastin e fjalimit të përvitshëm të tij përpara Kombeve të Bashkuara, këtë të enjte, për të nisur atë që konsiderohet si një sulm i hapur ndaj marrëveshjes historike bërthamore me Iranin, e duke paralajmëruar se vendi i tij nuk do të lejojë kurrsesi që Republika Islamike t’i bashkohet klubit të fuqive bërthamore.

Duke folur në mbledhjen e përvitshme të udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Netanyahu përsëriti për të disatën herë kritikat izraelite ndaj marrëveshjes mes Iranit dhe fuqive të mëdha botërore, që synon kufizimin e programit bërthamor të Teheranit kundrejt lehtësimit të sanksioneve të vendosura nga SHBA-të, OKB dhe BE.

Udhëheqësi i hebrejve tha se, menjëherë sapo të hiqen sanksionet, ‘i zgjidhur dhe i pamaskuar, Irani do të hidhet në sulm për të realizuar ëndrrën e tij”.

Izraeli – tha Netanyahu, – nuk do të lejojë kurrë Iranin të “shkelë, të vjedhjë apo të ecë së bashku me klubin e fuqive bërthamore të botës”.

Edhe në të kaluarën, Izraeli ka përsëritur vazhdimisht faktin se është i gatshëm të përdorë edhe forcën ushtarake për të parandaluar Iranin të sigurojë armët bërthamore. Teherani mohon të jetë duke synuar prodhimin e armëve të tilla, duke u justifikuar se programi bërthamor i tij është tërësisht paqësor.

Administrata e Presidentit amerikan, Barack Obama, ka mbrojtur vazhdimisht marrëveshjen bërthamore të 14 korrikut me Iranin, pavarësisht kritikave që shpërthyen nga republikanët në Kongres, që u përpoq gjithsesi të bllokonte aprovimin e saj por pa sukses. Ndërsa Izraeli e përshkruan bllokimin e saj si “mënyra më e mirë për të shmangur një luftë të re në Lindjen e Mesme”.

“Ne po shohim që bota po feston për arritjen e kësaj marrëveshjeje të keqe, teksa po nxitohen të përqafojnë dhe të bëjnë biznes me një regjim, i cili është angazhuar haptazi për shkatërrimin tonë”, tha Netanyahu.

Kryeministri i Izraelit mbante në duar edhe kopjen e librit më të fundit të udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, që sipas kreut të shtetit hebre është “veçse një stërhollim i planit të tij për të shkatërruar shtetin e Izraelit”.

Burime diplomatike thonë se Izraeli dhe rivali tjetër rajonal i Iranit, Arabia Saudite, janë duke diskutuar mbi mënyrën sesi do t’i përgjigjeshin marrëveshjes bërthamore dhe frikës së tyre për periudhën pas heqjes së sanksioneve, gjë që pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm, që mund të përforcojë pozitat e Iranit të ndjekë një politikë të jashtme edhe më agresive në Lindjen e Mesme.

Top Channel