Torino, ishte me vonesë, kërcënoi se në avion kishte bombë

02/10/2015 00:35

Ndërsa ishte me vonesë për të arritur avionin e linjës Torino-Romë, një pasagjer telefonoi policinë duke dhënë alarmin për bombë në avion.

“Në avion është një bombë”, kjo ishte telefonata që mori policia italiane nga një shtetas i paidentifikuar fillimisht, i cili ishte munduar të fliste në gjuhën arabe.

Autoritetet italiane janë vënë menjëherë në lëvizje, duke evakuuar të gjithë pasagjerët e avionit, i cili do të nisej nga Torino në orën 21:00 të së enjtes.

Pas kontrolleve të imtësishme, policia konfirmoi se alarmi ishte i rremë, ndërsa personi që kreu telefonatën u ndalua menjëherë pasi mbërriti në aeroport, ku u zbuluan edhe shkaqet e telefonatës së tij. Identiteti i pasagjerit nuk është bërë i ditur nga autoritetet italiani.

Mësohet se avioni është nisur rreth 2 orë e gjysmë me vonesë, por sigurisht pa personin që kreu telefonatën. Duket se ai bëri zgjedhje të gabuar për të vonuar avionin, pasi përveçse humbi atë edhe pse dy orë e gjysmë me vonesë, tashmë do t’i duhet të përballet edhe me policinë.

Top Channel