Koalicioni anti-ISIS, thirrje Rusisë: Ndalo sulmet ajrore!

02/10/2015 00:00

Disa pjesëtarë të koalicionit anti-ISIS i bënë thirrje Rusisë të ndalojë sulmet ajrore që po godasin opozitën siriane dhe popullsinë civile. Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Britania, Turqia e të tjerë paralajmërojnë se bombardimet e Moskës nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do ta nxisin edhe më shumë ekstremizmin.

Lëvizja e tyre vjen në kohën kur Francois Hollande u takua me homologun rus Vladimir Putin mes frikës se Moska po ndërmerr “sulme ajrore pa dallim” mbi militantët në Siri. Kryediplomati rus Sergei Lavrov pretendon se objektivat e bombardimeve të Moskës janë të njëjta me ato të koalicionit të drejtuar prej SHBA-së, megjithatë Shtëpia e Bardhë shpreh hapur bindjen e saj se Rusia nuk po bën atë për të cilën u zotua, por është duke goditur opozitarët sirianë.

Fushata ajrore ruse në Siri, siç deklaroi kreu i komitetit të çështjeve të jashtme në parlamentin rus, Alexei Pushkov, mund të zgjasë tre apo katër muaj. Pushkov shtoi se mësymja e Moskës do të jetë shumë më efikase se ajo e Uashingtonit, që sipas zyrtarëve të lartë rusë, vetëm “ka bërë sikur” e ka bombarduar ISIS-in. Opozita siriane dhe shumë të tjerë këmbëngulin se pesha e sulmeve ruse po rëndon e gjitha mbi fraksionet rebele kundërshtare të regjimit të Bashar al-Assadit, aleatit të madh të Putinit në rajon.

Sipas shefit të Elizesë, është e një rëndësie kyçe që Moska t’i qëndrojë premtimeve të saj dhe që sulmet nga ajri, pavarësisht se kush i ndërmerr, të godasin vetëm ISIS-in dhe jo grupet e tjera në tokë. Por këtu Rusia nuk ndan të njëjtin mendim.

“Rusia do të godasë ISIS-in, por do të luftojë edhe grupet e tjera terroriste, përfshirë këtu edhe al-Nusrën. Ne nuk mbështesim askënd kundër popullit të vet. Ne luftojmë terrorizmin”, deklaroi Lavrov.

Ai shtoi se shënjestrat e saj, Moska i ka përzgjedhur në bashkëpunim me ushtrinë siriane. Siria duket e destinuar të mbizotërojë takimin Hollande-Putin në Paris, edhe pse bisedimet u organizuan me qëllimin të diskutohen përpjekjet e paqes në Ukrainë.

Top Channel