Lojrat sfiduese të Putinit

02/10/2015 12:15

Me lëvizjet e saj sfiduese, Moska nuk i ka shkaktuar pak shqetësime komunitetit ndërkombëtar. Në lojën e madhe të shahut, Moska kërkon ta ketë gjithmonë një lëvizje që trazon ujrat, siç bëri me Krimenë vitin e kaluar apo edhe me Kosovën qershorin e vitit 1999.

Duke pushtuar aeroportin e Prishtinës, ushtarët e Moskës, të pritur asokohe prej serbëve si heronj, gati sa nuk hapën konflikt me fuqinë më të madhe ushtarake të globit, NATO-n. Ngërçi i krijuar u arrit të komentohej në media edhe si moment që mund të kishte shërbyer si shkëndijë për një Luftë të Tretë Botërore. Dhe duke pasur parasysh sesi ky komb mendon e vepron, ajo çfarë bëri në Siri, për analistët e BBC-së, nuk ka pse befason kaq shumë.

Rusët e kanë dëshmuar qartë mbështetjen për Bashar al-Assadin; nuk ishte ndonjë sekret i madh fakti që po dërgonin pajisje ushtarake në atë vend, e është e qartë për të gjithë se pilotët e Moskës nuk i nxorrën avionët e tyre luftarakë në Mesdheun lindor vetëm që të bënin ca milje ajrore shtesë.

Putin pati mbrëmjen e së hënës dhe një takim me Barack Obamën për t’i shpjeguar planet e Rusisë dhe ndonëse dallimet qenë të mëdha, amerikanët thanë se synimet e Moskës i kishin kuptuar më mirë nga sa mund të mendohej. E megjithatë, në fund, Rusia sërish bëri lojën e vet. Bombardimet e ditës së parë në Siri treguan qartë se objektivat strategjike nuk ishin ato që menduan amerikanët. Shënjestra ruse u vendos në zona ku nuk ka prani të militantëve të Shtetit Islamik. E thënë ndryshe, avionët rusë janë duke sulmuar grupe të tjera kryengritëse në terren, ato që kundërshtojnë regjimin e Bashar al-Assadit, çka ngre një pyetje të rëndësishme: çfarë do të ndodhë nëse Moska godet rebelët e mbështetur dhe armatosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Po nëse bashkë me ta në terren ka edhe forca speciale amerikane, të dërguara atje për t’i asistuar? Po u mësynë dhe këta vetë, a do të kërkojnë ndihmën e avionëve amerikanë për të zmbrapsur sulmuesit rusë?

Administrata e Obamës në këtë pikë, thotë BBC, me shumë gjasë do të gjendet përballë një zgjedhjeje të vështirë: të rrezikojë përplasjen e hapur me Moskën ose të pranojë se Assadi nuk ka për të shkuar gjëkundi.

Top Channel