Totozani në Fier: Problem shqetësues, ndotja e ajrit në Marinzë dhe Visokë

02/10/2015 12:45

Ndotja e ajrit në Marinzë dhe Visokë mbetet ende një nga problemet shqetësuese të banorëve të Fierit, të cilët kanë paraqitur ankesat e tyre në takimin me Avokatin e Popullit, Igli Totozani.

“Nga ankesat e depozituara prej qytetarëve sot, por dhe nga ankesat që kemi në institucion nga qarku i Fierit mbeten problematike: papunësia, çështje të lidhura me INUK, si dhe një problem shumë serioz mbetet ndotja e ajrit, sidomos në Marinëz dhe Visokë”, tha z. Totozani.

Ai përsëriti apelin për përcaktimin e minimumit jetik, duke e konsideruar këtë çështje si një problem emergjent, që kërkon zgjidhje të thjeshtë. “Ky është një problem i vazhdueshëm i të gjitha qeverive të këtyre 25 viteve. Kjo ka bërë që pensionet, rrogat minimale në fshat dhe qytet, pagesa e ndihmës ekonomike, pagesa për aftësinë e kufizuar, si dhe të gjitha subvencionet e tjera, që jep shteti, nuk garantojnë një standard real jetik, sepse nuk janë reale në përputhje me nivelin e jetesës në Shqipëri. Ne kemi nevojë jo vetëm të rrisim në mënyrë reale këto pagesa, por ne duhet të kuptojmë se cili është niveli i varfërisë në vend, cilët janë të varfër në këtë vend. Gjithashtu, duhet të kuptojmë se sa njerëz, nga ajo e ashtuquajtur shtresë e mesme, për arsye nga më të ndryshmet, objektive apo subjektive, po rrëshqasin në varfëri.  Llogaritja e minimumit jetik është një prioritet për Avokatin e Popullit sepse prek interesat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, tha Totozani.

Avokati i Popullit ndodhej në bashkinë e Fierit, në kuadër të “Ditëve të Hapura”. Pranë kësaj bashkie funksionon dhe një zyrë rajonale e AP-së, për ankesat e banorëve.

Top Channel