Vjedhja e të dhënave, rrezikohen agjentët e CIA-s

02/10/2015 12:40

Agjencia Qendrore e Inteligjencës, e njohur si CIA, tërhoqi stafin e saj nga Ambasada Amerikane në Pekin, pasi druhet se të dhënat e vjedhura nga kompjuterat e qeverisë mund të ekspozojnë agjentët e saj. Kështu shkruan gazeta amerikan “Washinton Post”, bazuar në burimet e saj brenda agjencisë.

Në prill, të dhënat për rreth 21 milionë nëpunës federalë u vodhën gjatë një sulmi masiv ndaj Zyrës Amerikane për Menaxhimin e Personelit. Kompanitë  e sigurisë fajësojnë Kinën për sulmin. Zyrtarisht, CIA nuk pranoi që të shprehet për këtë çështje. “Washington Post” shkruan se të dhënat për stafin e CIA-s nuk ishin mes atyre të vjedhura, por në to gjendeshin informacione për nëpunësit e departamentit të shtetit.

CIA druhet se një krahasim i thjeshtë i listave të njerëzve në ambasadë dhe atyre të punësuar nga departamenti i shtetit do të zbulonte agjentët e CIA-s, pasi këta të fundit nuk kontrollohen nga selia diplomatike. Rreziku i zbulimit të agjentëve të inteligjencës nga të dhënat e vjedhura u përmend edhe nga Xhejms Klaper, drejtori i inteligjencës kombëtare, gjatë një seance të komitetit të senatit për forcat e armatosura.

Klaper tha se vjedhja e të dhënave kishte implikime shumë serioze për komunitetin e inteligjencës, pasi mund të identifikoheshin agjentët në vende të tjera. Ai mjaft hapur pranoi se edhe SHBA angazhohet në sulme kibernetike si ato për të cilat akuzohet Kina, duke shtuar se amerikanët nuk janë aspak të paaftë në këtë fushë.

Top Channel