Pushime “hot” në Danimarkë për të shmangur plakjen e popullsisë

02/10/2015 12:50

Një kompani daneze udhëtimesh ka gjetur një zgjidhje novatore për kthimin e trendit negativ të plakjes së popullatës së vendit. Fushata e nxehtë publicitare nga kompania Spies Rejser i sugjeron femrave që duan të bëhen gjyshe që t’u blejnë fëmijëve të tyre të rritur pushime aktive me diell dhe seks, dhe të shpërblehen 9 muaj me vonë me një nip apo mbesë.

“Nuk mund të blesh dashurinë apo mundesh?”, është fjalia ironike që hap rekalmën, ndërsa kamera fokuson një vajzë tërheqëse që duket se po kalon pushimet e jetës. Reklama shënjestron vetëm nënat daneze, mbase baballarët nuk janë aq të interesuar për nipër apo mbesa. Në të shpjegohet se nëna që ka qenë e pranishme gjatë gjithë jetës për djalin e saj, natyrshëm kërkon që ta ndihmojë që të bëhet me nipër, sigurisht nga një distancë e përshtashme.

Në reklamë tregohet me statistika se çiftet bëjnë seks 51% më shumë në pushime me diell dhe jo të llojeve të tjera. Kjo reklamë pason fushatën e mëhershme që quhej “Bëje për Danimarkën” dhe që nxiste njerëzit të shkonin në pushime romantike dhe t’i përkushtoheshin riprodhimit patriotik.

Ndërsa reklama më e fundit thotë mjaft qartë: “Nëse nuk do ta bësh për vendin, bëje për nënën!”

Ulja e numrit të lindjeve është një problem serioz për Danimarkën, ku ide për të nxitur njerëzit që të kenë fëmijë janë gjithnjë të mirëpritura, pavarësisht mënyrës si i shërbehen publikut.

Top Channel