Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ishte i drejtpërdrejtë gjatë një interviste për DW në Berlin, ku ishte për të takuar drejtues të partise qeverisëse gjermane.

Ai mohoi çdo zë që ka folur për një takim të fshehtë mes tij dhe kryeministrin Rama, madje e quajti të neveritshme idenë e ndonjë pakti me Edi Ramën dhe Ilir Metën, të cilët, siç thotë Lulzim Basha janë përgjegjës për gjendjen në të cilën sot ndodhet vendi, me një ekonomi në prag falimentimi dhe me kriminalitet në lulëzim deri në nivelet më të larta qeveritare.

Sipas zotit Basha, është urgjente që shqiptarët të dinë se kush ka përfituar nga marrëveshja për t’u tërhequr nga arbitrazhi me CEZ-in dhe për t’u falur çekëve të paktën 500 milionë euro. Në mënyrë që kjo të bëhet, duhet hetim ndërkombëtar, duke përfshirë pa rezerva, siç thotë Lulzim Basha, edhe çdo kërkesë që përfshin në hetim aktet për privatizimin e CEZ-it gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, edhe pse për dy vjet në pushtet, socialistët nuk ngritën asnjë akuzë.

Kreu i opozitës u bëri thirrje deputetëve socialistë të mbështesin projektligjin që lejon hetimin ndërkombëtar të çështjes dhe në mënyrë indirekte inkurajoi Lëvizjen Socialiste për Integrim të vazhdojë mbështetjen për miratimin e ligjit, kur tha se “për fat të mirë, propozimi ka marrë edhe mbështetje nga brenda mazhorancës”.

Kreu i opozitës e sheh kryeministrin si kundërshtarin e vetëm deri më tani të projektligjit dhe thotë se “përpjekjet për t’i ikur hetimit ndërkombëtar vetëm se demaskojnë përgjegjësinë e hapur të Edi Ramës për të mbuluar këtë vjedhje të shekullit”.

Sipas Lulzim Bashës, ky qëndrim i Edi Ramës tregon dy standardet që ai përdor për sistemin e drejtësisë, e sulmon si të korruptuar, kur i duhet ta vendosë nën kontroll dhe e mbron si të pavarur, kur nuk i vjen për shtat zbardhja e së vërtetës. 

Top Channel