Obama: Lutjet nuk i ndalin krimet

02/10/2015 14:55

“Episode të tilla janë bërë rutinë dhe lutjet nuk mjaftojnë më”. Me këto fjalë Barack Obama i dërgoi kombit një tjetër mesazh për të reflektuar sërish mbi nevojën e ndryshimit të ligjeve të armëmbajtjes, nisur nga masakra më e fundit që tronditi Amerikën e që për teatër, pati edhe një herë një universitet.

Agresori 26-vjeçar hapi zjarr në kampusin e Umpqua Community College në Rosenburg të Oregonit e në fund, u vra prej policisë. Identiteti i tij nuk është bërë i ditur zyrtarisht, por punonjës të forcave të rendit që preferuan të mbeten anonimë, i thanë mediave se emri i të riut është Chris Harper Mercer.

9 të vdekur e 10 të plagosur është bilanci i episodit të dhunës të cilin vrasësi duket se e kishte paralajmëruar “online”. Të mërkurën ai kishte lënë të kuptohet se çfarë do të ndodhte kur përmes një postimi në faqen 4chan kishte ftuar studentët e zonës veri-perëndimore të mos shkonin në shkollë të enjten. Harper Mercer nuk ishte student i institutit të kthyer në shënjestrën e tij, por banonte në zonë, në një apartament ku qëndronte bashkë me të ëmën. Disa raporte në media tregojnë se nga profilet në rrjetet sociale të lidhura me një adrese e-maili që besohet të jetë përdorur nga 26-vjeçari, ai shfaqej si “republikan konservator”, si adhurues i IRA-s e si refuzues i të gjitha “feve të organizuara”. Të njëjtat raporte përcjellin edhe dëshminë e një vajze të plagosur që rrëfen se agresori ka hyrë klasë më klasë, i është drejtuar personave të ndryshëm duke i kërkuar të ngrihen në këmbë e paskësaj i pyeste për besimin që kishin.

Kush përgjigjej i krishterë, sipas vajzës, qëllohej me plumb në kokë; kush nuk ishte i tillë, qëllohej në këmbë. Obama reagoi ashpër duke thënë në televizion: “Boll më me ngushëllime; është koha që gjërat të ndryshojnë”.

Projektligji i tij për kontrollin e armëve është bllokuar nga Kongresi pas presioneve të shoqatës së fuqishme të armëve NRA, çështje kjo që shefi i Shtëpisë së Bardhë e cilëson si më delikaten me të cilën është përballur që prej marrjes së postit.

Top Channel