Prania e gjuhës së urrejtjes në media përbën problem serioz për shoqërinë në Maqedoni. Alarmi është ngritur nga drejtuesit e Këshillit të Etikës për Mediat në Shkup, të cilët thonë se ky problem po bëhet gjithnjë e më i pranishëm.

Vetëm brenda 6 muajve të fundit, në Këshillin e Etikës janë dorëzuar 50 parashtresa, 16 prej të cilave kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes.

“Nga gjuha e urrejtjes mund të nxitet dhuna e jo toleranca. Gjë që mund të shkaktojë probleme të mëdha, sepse jetojmë nën një qiell shumë të ndjeshëm për nga aspekti ndëretnik dhe ndërfetar”, tha Sefer Tahiri, anëtar i Këshillit të Etikës për Mediat, në Maqedoni.

Sipas anëtarëve të këtij këshilli, pushteti – i cili kontrollon shumicën e mediave, – është nxitësi kryesor i gjuhës së urrejtjes, e cila kalon pa u sanksionuar pavarësisht dënimeve të larta, që parashikon Kodi Penal i Maqedonisë për këtë problem.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shkup, Aivo Orav kërkoi nga shteti që të mos ketë ndikim në punët e medias dhe t’u garantojë gazetarëve ambient të lirë për të punuar, pasi – siç tha ai, – liria e shprehjes është një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e vendit në BE.

“Ligjet për shpifje nuk duhet të keqpërdoren për të censuruar kritikën dhe debatin publik. Shtetet janë të detyruara të respektojnë lirinë e shprehjes, sepse ajo është pjesë e rëndësishme e kritereve të Kopenhagenit për integrimin në BE”, tha Aivo Orav, ambasador i BE-së në Maqedoni.

Në të gjitha raportet ndërkombëtare evidentohet se, në Maqedoni janë shtuar problemet në fushën mediatike, për shkak të kontrollit të madh që ka pushteti mbi mediat kryesore dhe presioneve në rritje ndaj gazetarëve kritikë.

Top Channel