Kosovë, Veseli viziton “Trepçën”. Kërkohet rivitalizimi i kombinatit

02/10/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar këtë të premte ndërmarrjen “Trepça”, në Mitrovicë, për të parë nga afër gjendjen e kombinatit metalurgjik, i cili vazhdon të jetë në krizë.

Veseli takoi stafin menaxherial të ndërmarrjes, si dhe vizitoi disa reparte për t’u njohur nga afër me kërkesat e minatorëve, të cilët premtuan se Trepça mund të rikthejë fuqinë e saj me pak mbështetje nga shteti.

“Me këto çmime që janë në treg, edhe pse janë të ulëta, metalurgjia e zinkut do të kishte gjeneruar deri në 20 milionë dollarë përfitime, nëse do të kishte qenë funksionale”, tha Sali Kurshumliu, menaxher i Elektrolizës së zinkut, “Trepça”.

Pasi dëgjoi kërkesat e stafit menaxherial dhe sindikatës së punëtorëve, kryeparlamentari Veseli tha se për “Trepçën” nevojitet një strategji urgjente, në hartimin e së cilës duhet të marrin pjesë edhe drejtuesit e ndërmarrjes.

“Trepça ka perspektivë, ashtu sikurse ka edhe të tashme. Trepça është gjigant dhe mund të jetë gjigant i zhvillimit ekonomik, e jo një pjesë e barrës ekonomike dhe sociale, të cilën mund ta kenë institucionet e Republikës së Kosovës. Pa një Trepçë të zhvilluar, nuk kemi për të pasur zhvillim të fuqishëm ekonomik”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Pas vizitës në “Trepçë”, kryeparlamentari Veseli, i shoqëruar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, kanë vizituar qendrën e banimit kolektiv, ku jetojnë dhjetëra familje në kushte shumë të rënda sociale.

“Brenda disa ditëve do të fillojë puna e ndërtimit të banesave sociale për këto familje. Shpresojmë shumë dhe merreni si mesazh, dimrin e ardhshëm të përfundojë. Të përfundojë në këtë kohë, që këto familje ta gjejnë dimrin në ndërtesat e reja”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se, deri në përfundimin e ndërtimit të banesave kolektive, ministria që ai drejton do të kujdeset për ndihma të tjera, për të ndihmuar banorët e kësaj qendre në përballimin e stinës së dimrit.

Top Channel