Pensionisti që punon vullnetar

02/10/2015 00:00

Ahmeti, i cili është shkodran prej shumë brezash, ka punuar 40 vite si agronom dhe, ndryshe nga pensionistët e tjerë, ai preferoi që njohuritë dhe eksperiencën e tij t’ua pasonte nëpërmjet këtij kopshti botanik edhe brezave të rinj. Ai e ndien veten të dobishëm dhe me shumë energji, megjithëse është 77 vjeç.

“Quhem Ahmet Osja dhe në vitin 1999 dola në pension. Bisedova me Ipeshkvinë, përfaqësues të së cilës pranuan sugjerimin tim që në fshatin e paqes të ndërtohej një kopësht botanik, për t’iu shërbyer fillimisht shkollave të mesme, që nuk kishin informacion për bimët. Këtu janë rreth 739 lloje bimësh nga e gjithë Shqipëria. Një pjesë e tyre janë edhe bimë endemike, që gjendjen vetëm në hapësirën ku jetojnë shqiptarët”, shprehet Ahmet Osja.

Kohë më parë, fshati i paqes ka shërbyer si rezidencë për shtresat vulnerabël. Ahmeti vjen këtu tri herë në javë për të parë bimët, për t’u kujdesur e për t’u lënë porositë punonjësve të fshatit.

“Më befasoi shumë dalja në pension, për arsye se gjatë gjithë kohës unë kam qenë i punësuar me një lloj metodike. Në një mënyrë a në një tjetër, unë duhej t’i realizoja gjërat që më ishin ngarkuar për detyrë. Me të dalë në pension isha shumë i lirë të bëja edhe ato që më lindnin si ide mua. Gjeta edhe njerëz që më mbështetën, të cilëve u jam shumë mirënjohës. Shumë gjëra këta i bëjnë edhe nga porositë që u lë unë, e kur vij të kontrolloj diçka, shoh që e kanë kryer e s’më mbetet gjë veçse t’i falënderoj. Po të bëjmë punë të dobishme, nuk kemi kohë për të bërë punë të padobishme, madje kështu bëhemi model edhe për brezat që vijnë, që edhe ata të vazhdojnë të jenë të dobishëm”, thotë më tej Ahmeti.

Për 17 vite, ai ka punuar në mënyrë vullnetare dhe, një nga bashkëpunëtorët e tij në këtë rrugëtim, është edhe Ded Mirashi.

“Ahmeti ka qenë një nga protagonistët kryesorë që është angazhuar me këtë punë. Ai mbolli të gjitha llojet e bimëve, ashtu sikurse jemi angazhuar edhe ne në gjetjen e bimëve të egrave nëpër male për t’i mbjellë këtu. Uroj që edhe të gjithë pensionistët e tjerë të kenë guximin, angazhimin dhe nismat e tij”, thotë Ded Mirashi.

Top Channel