Ditët e vështira të Vllaznisë, legjendat: Zgjidhje është privatizimi i klubit

02/10/2015 00:00

Klubi i Futbollit (KF) Vllaznia, një nga klubet elitë të futbollit shqiptar, po kalon ditët më të vështira në këto 15 vitet e fundit.

Kuqeblutë kanë humbur 5 ndeshjet e para në këtë sezon, duke bërë që të kapin vendin e fundit në klasifikim, stafi teknik të japë dorëheqjen, e tifozët të dalin në protesta kundër drejtuesve të klubit dhe bashkisë.

Luan Heta, një nga ish-anëtarët e bordit drejtues i vë fajin anës teknike, për gjendjen e mjerueshme në të cilën është katandisur Vllaznia.

“Para se të largoheshim, ne kishim planifikuar që në klubin sportiv Vllaznia të mos mungonin të ardhurat financiare. Për mua përsonalisht, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e stafit teknik. Së pari e administratorit dhe së dyti e drejtuesit teknik, por në fund edhe e trajnerëve”, tha Luan Heta, ish-anëtar i bordit në Bashkinë Shkodër.

“Ka 4 vite që Vllaznia është duke diskutuar mbijetesën në Superiore. Ato parà mund të ishin investuar për rritjen e cilësisë së grupit të Akademisë së futbollistëve të talentuar që ka Shkodra”, shprehet një ish-futbollist dhe ish-trajner i Vllaznisë, si Hysen Dedja.

Në një situatë të tillë, kur ekipi i futbollit të Vllaznisë është duke regjistruar rezultatet më negative, të gjithë sportdashësit këtu ngrejnë një pyetje. Si do të shpëtohet Vllaznia?

“Zgjidhje për këtë situatë është vetëm ngushtimi i përgjegjësive ndaj klubit”, sugjeron Hysen Dedja. “Të jetë një person ose një grup personash, që do të investojnë duke e pasur të përcaktuar edhe përgjegjësinë. Kush ka mbajtur përgjegjësi për ato miliona që janë hedhur në Shkodër? Kanë ardhur trajnerë e futbollistë e kanë ikur… Gjithmonë përgjegjësia ka qenë jetime”.

“U bënë 4 vite, që Vllaznia është i vetmi ekip sh.a. Duhet të shkojmë sa më shpejt te privatizimi”, sugjeron një tjetër figurë e shquar e futbollit shkodran, Hysen Zmijani.

“Jam i bindur se kjo situatë ka vetëm një zgjidhje: Klubi duhet t’i kalojë biznesit, një privati dhe pse jo të ketë edhe një president”, është shprehur Vioresin Sinani, ish-futbollist i Vllaznisë.

Top Channel