Reforma në drejtësi, PD depoziton opinionin mbi amendamentet

02/10/2015 00:00

Partia Demokratike njoftoi se ka depozituar në Kuvend opinionin e vet për amendamentet kushtetuese, që janë hartuar nga komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi.

Partia Demokratike thotë se i kërkon kryetarit të Kuvendit ta përcjellë këtë dokument pranë Komisionit të Venecias, si shoqërues të draftit të mazhorancës.

Partia më e madhe e opozitës quan të tillë dokumentin zyrtar të hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, mes të cilëve janë 3 të huaj, 2 prej të cilëve nga Komisioni i Venecias dhe njëri është shef i Misionit të Bashkimit Europian për Drejtësinë në Tiranë.

Që kur ka marrë pjesë në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi, Partia Demokratike nuk e ka kontenstuar asnjëherë zyrtarisht përbërjen e grupit të ekspertëve.

Deputeti Gent Strazimiri është i vetmi që ka deklaruar në mbledhjen e kaluar të së martës, se 9 nga 15 ekspertët e drejtësisë kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë gjatë sistemit komunist, por ky deri tani nuk është qëndrimi zyrtar i opozitës.

Partia Demokratike nuk iu përgjigj pyetjes së Top Channel, nëse në dokumentin e saj zyrtar për Komisionin e Venecias amendamentet kushtetuese cilësohen apo jo si propozime të njëanshme të mazhorancës.

Njoftimi i Partisë Demokratike thotë më tej se, në materialin prej 55 faqesh, ekspertët e opozitës kanë prezantuar 54 vërejtje mbi përmbajtjen dhe atë që e cilëson si “cënim të standardeve nga projektligji i hartuar në mënyrë të njëanshme nga ekspertët e mazhorancës”.

Në opinionin e vet për amendamentet kushtetuese, PD ka parashtruar edhe rreth 130 pyetje për ekspertët e Komisionit të Venecias, me qëllim që, siç thotë ajo, të evdientohet qartë çdo tentativë e mazhorancës për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe dhunimin e standardeve ndërkombëtare.

Paralelisht me Kuvendin, opinioni i Partisë Demokratike i është drejtuar direkt edhe Komisionit të Venecias, si dhe disa përfaqësive diplomatike dhe organizmave europiane, përfshirë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe zyrën e Bashkimit Europian në Tiranë.

Top Channel