ISIS, Siria: Sulmet ajrore, të padobishme pa përfshirjen e Damaskut

02/10/2015 00:00

Ministri i Jashtëm sirian, Walid al-Moualem vuri në dyshim këtë të premte, gjatë fjalimit të tij përpara Kombeve të Bashkuara, vlerat e negociatave politike dhe tha se sulmet ajrore kundër militantëve xhihadistë në vendin e tij janë të padobishme, nëse nuk koordinohen me qeverinë siriane.

“Terrorizmi nuk mund të luftohet vetëm përmes ajrit, ndërkohë që të gjitha operacionet e mëparshme për ta luftuar këtë dukuri kanë shërbyer vetëm për përhapjen e tij”. Tha Moualem gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Moualem iu referua kështu sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusra të lidhur me al-Qaedan, në Siri dhe në Irak, të cilat nisën afro një vit më parë.

“Sulmet ajrore janë të padobishme, deri kur ato të zhvillohen në bashkëpunim me ushtrinë siriane, të vetmen forcë në Siri që po lufton realisht terrorizmin”, tha ai përpara Asamblesë prej 193 anëtarësh në përfundim të punimeve të përvitshme të udhëheqësve botërorë, që zhvillohet në Nju Jork.

Më herët gjatë javës, Presidenti Barack Obama dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, u takuan së bashku në Nju Jork për të diskutuar mbi Sirinë dhe Ukrainën, dy çështje që kanë përçarë thellësisht ish-rivalët e Luftës së Ftohtë.

Rusët dhe amerikanët janë ballafaquar disa herë gjatë kësaj jave, teksa të dy palët pretendojnë ligjshmërinë për veprimet e tyre në Siri, por dallojnë nga njëri-tjetri në lidhje me rolin që duhet të ketë Presidenti sirian, Bashar al-Assad, në zgjidhjen e këtij konflikti, duke qenë se ai është aleat i vjetër dhe i palëkundur i Rusisë.

Moualem mirëpriti vendimin e Rusisë për të zhvilluar sulme ajrore në Siri, bazuar mbi kërkesën e qeverisë së Damaskut, të cilat i vlerësoi si “në mbështetje të përpjekjeve siriane për të luftuar terrorizmin”. Kremlini, nga ana e tij ka bërë të ditur se është duke mbështetur ushtrinë siriane në pikat e saj më të dobëta.

Top Channel