Shkodër, arrestohet autori i krimit brenda familjes; plagosi bashkëshorten

02/10/2015 00:00

Policia e Qarkut të Shkodrës ka bërë të mundur arrestimin e autorit të ngjarjes së shënuar mbrëmjen e së enjtes, ku një shtetase mbeti e plagosur me armë zjarri, fillimisht e raportuar në gjendje të rëndë, pasi plumbat i kanë shkuar tejpërtej barkut duke i prekur edhe shtyllën kurrizore.

Shtetasit Paulin Pylla, 45 vjeç e banues në Vaun e Dejës, i janë vënë prangat mbrëmjen e së premtes, bazuar mbi dyshimet si autor i plagosjes së bashkëshortes së tij, shtetases M.P., e cila ndodhet ende e shtruar në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Tashmë mësohet se ajo është jashtë rrezikut për jetën.

Sipas njoftimit të policisë, në shtëpinë e çiftit janë gjetur njolla gjaku për të cilat do të bëhen ekzaminimet e nevojshme të mëtejshme. Ndërsa brenda banesës janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një krëhër pistolete të tipit TT, një fishek i kalibrit 7,62 mm dhe një kapsollë e pagoditur në raftin e rrobave.

Përveç këtyre janë gjetur e sekuestruar edhe dy autovetura Mercedes Benz me targa të njëjta, SH 4309 D, me ngjyrë të bardhë; dy targa të huaja DAH 279 A; dy targa të reja shqiptare AA 158 DX; si dhe një qese plastmasi të mbushur me farë, të dyshuar si bimë narkotike e llojit kanabis sativa.

Top Channel