Shkodër, pranga ish-kryekomunarit të Velipojës dhe 8 ish-zyrtarëve

02/10/2015 21:55

Policia e Shkodrës ka arrestuar mbrëmjen e së premtes ish-kryetarin e Komunës Velipojë, Nikollë Marku dhe 8 ish-anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit të kësaj komune, me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.

Arrestimi i tyre erdhi pasi Gjykata e Shkodrës pranoi kërkesat e prokurorisë së këtij rrethi, për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 9 të arrestuarit.

Burime zyrtare nga organi i akuzës bëjnë me dije se nga hetimi ka rezultuar se këta persona, në disa mbledhje të KRRT-së së Velipojës, në vitin 2010 kanë dhënë leje në favor të një subjekti të vetëm ndërtues.

Bëhet fjalë për 6 leje ndërtimi të dhëna përgjatë periudhës maj-dhjetor 2010, përmes të cilave subjektit në fjalë i jepej drita jeshile për të ndërtuar në total 50 ndërtesa 3 deri në 5-katëshe përgjatë vijës bregdetare të Velipojës.

Të arrestuarit e tjerë janë: Marrash Keçi, Dile Ndoka, Lekë Simoni, Filip Kërcunga, Enver Kotorri, Gëzim Sala, Emiljan Dashi dhe Gjovalin Brengaj.

Top Channel