Obama: Ne nuk mund të rehabilitojmë Assadin me lëvizjet tona

03/10/2015 12:15

Çështja e Sirisë dhe sulmet ndaj Shtetit Islamik e kanë nervozuar presidentin amerikan Barak Obama dhe komentet e tij mbi politikën ruse.

“Me presidentin Putin kemi folur në lidhje me tranzicionin politik në Siri. Por kam qënë i qartë në këtë pikë. Ne nuk mund të rehabilitojmë Assadin me lëvizjet tona”, tha Obama.

Presidenti amerikan e cilësoi si një fatkeqësi vizionin e presidentit rus, Vladimir Putin, duke shtuar faktin se sulmet ruse po përforcojnë ISIS-in. Sipas Obamës, ngjarjet e ditëve të fundit nuk ndryshojnë kurrsesi strategjinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar regjimin e presidentit Assad në Siri.

“Motivi i vetëm pse Assad ndodhet ende në pushtet, është ngaqe Rusia dhe Irani u treguan të gatshëm ta mbështesnin. Koalicioni i Putin përfshin Iranin dhe Assadin, në një kohë që pjesa tjetër e vendeve është në koalicion të gjerë me ne. Një gjë mbetet e qartë, Assadi do të bjerë nga pushteti”, u shpreh Presidenti.

Por presidenti i SHBA u tregua disi fleksibël kur foli për marrëdhëniet me Rusinë.

“Kjo nuk është një luftë që zhvillohet ndërmjet Rusisë dhe Amerikës. Kjo nuk është një loje shahu ndërmjet superfuqive të botës, dhe çdokush që e sheh në këtë formë, gabohet.”

Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Britania, Turqia e të tjerë vende të koalicionit paralajmëruan të premten se bombardimet e Moskës nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do ta nxisin edhe më shumë ekstremizmin.

Top Channel