UNESCO nis shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim

03/10/2015 00:00

Komiteti Ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, UNESCO, shqyrton këtë të shtunë kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Lajmin e konfirmuan për Top Channel burime zyrtare të Qeverisë së Kosovës. Për të kaluar këtë fazë, Kosovës i duhen votat e 29 anëtarëve, nga 50 që janë gjithsej.

Më pas, procedurat e anëtarësimit kalojnë në një tjetër fazë, kur Komiteti Ekzekutiv rekomandon anëtarësimin e Kosovës në konferencën e përgjithshme, që mbahet në muajin nëntor.

Në këtë fazë, që shënon edhe veprimet përfundimtare, nevojiten 2/3-tat e votave të 195 vendeve anëtare.

Kosova ka aplikuar këtë vit për të qenë anëtare e UNESCO-s. Kjo betejë konsiderohet e vështirë për shtetin e ri, pasi përballë ka një lobim të ashpër të Serbisë, e cila vazhdon ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës nëpër organizatat ndërkombëtare.

Top Channel