Protestë kundër kasës fiskale, avokatët do të braktisin gjyqet

03/10/2015 14:25

Të paktën njëherë në profesionin e tyre avokatet kanë vendosur të mos mbrojnë askënd tjetër përveç vetvetes. Problemi që i ka bërë bashkë avokatët këtë fundjavë është vendosja e kasës fiskale, e cila prej javësh kundërshtohet prej tyre.

E ndërsa nuk i ka dëgjuar askush, në takimin e kësaj të shtune, avokatët paralajmëruan braktisjen e gjyqeve në shkallë vendi. Brenda këtyre 10 ditëve, pritet që Dhoma kombetare e Avokatisë do të shpallë orën dhe datën gjatë të cilës pritet të ketë braktisje të proceseve gjyqësore.

“Ky nuk është shqetësim vetëm i imi se vërtet jam kreu i Dhomës së Avokatisë Tiranë, apo nënkryetar i Dhomës së Avokatisë së të gjithë vendit, por në fund të fundit unë jam edhe avokat”, është shprehur Fatmir Braka, kreu i Dhomës së Avokatisë, Tiranë.

“Mos të rrimë më të heshtim, sepse sa më shumë të heshtim aq më shumë do na sulmojnë institucionet të ashtuquajtura tatim paguesve. Ne nuk jemi kundra tatim paguesve, po kundër pajisjes me kasa”, tha Saimir Visha, kreu i shoqatës së avokatëve penalistë.

Aktualisht, çështja e kasës fiskale ndodhet në gjykatë, ndërkohë që avokatët e humbën çështjen tjetër gjyqësore për TVSH-në.

Top Channel