Zv.kryeministri Thaçi: Vendi nuk është në krizë politike

03/10/2015 00:00

Java e ardhshme pritet të qartësojë pozicionet e koalicionit qeveritar në Kosovë, ndaj bllokadës që ka shkaktuar opozita brenda Kuvendit.

Top Channel ka mësuar nga zyrtarë të koalicionit qeverisës se, pas kthimit nga Nju Jorku, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvëndëkryeministri, Hashim Thaçi, do të takohen me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për t’u njohur nga afër me zhvillimet e kësaj jave.

Mësohet se, kryeparlamentari Veseli do të propozojë mbajtjen e një mbledhjeje të Kryesisë, për të bërë përpjekjen e fundit që Kuvendi t’i kthehet normalitetit.

Por, partitë opozitare tanimë janë të prera në qëndrimin e tyre se, nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave, derisa kryeministri Isa Mustafa të tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet me Serbinë.

Ndërsa kryeministri Mustafa, sapo u kthye nga Nju Jorku konfirmoi se, për marrëveshjet nuk ka kthim dhe se ai nuk tërhiqet nga nënshkrimi.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi tha këtë të shtunë, përmes telefonit për Top Channel se, në Kosovë nuk ka bllokim as të Kuvendit e as të Qeverisë, por – siç tha ai, – në Kuvend ka përpjekje për të penguar punën e rregullt të saj nga partitë opozitare.

Thaçi tha se, si qeveri po presin që opozita ta kuptojë, se është duke vepruar kundër institucioneve të shtetit dhe kundër vetë Kosovës. Thaçi tha se Kosova, asnjëherë nuk ka pasur koalicion qeverisës më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm sesa aktualisht.

Ai tha se arritjet e qeverisë po e acarojnë opozitën politike, e cila – sipas Thaçit, – duhet të veprojë me mjete politike e jo të kërcënojnë me dhunë.

Pavarësisht situatës së krijuar, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nuk ka shfaqur deri tani ndonjë interesim për të ndërhyrë, si garantuese e zbatimit të kushtetueshmërisë në vend.

Në një përgjigje elektronike për Top Channel, Presidentja kosovare konsideron se, është përgjegjësi e të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, që të sigurojnë funksionimin e institucioneve dhe të ruajnë besueshmërinë e tyre.

Sipas Presidentes Jahjaga, një Kuvend, që përgjegjësi kryesore ka vendimmarrjen për interesat e qytetarëve të Kosovës, nuk duhet të bllokohet nga vetë deputetët e tij, të cilët – sipas saj, – e kanë për detyrë që Kuvendin dhe rrugët institucionale t’i shfrytëzojnë për të gjetur rrugëdaljen nga sfidat, e jo për t’i thelluar ato.

Presidentja vlerëson gjithashtu se, një bllokadë institucionale do të kthente shtetin prapa, në shumë procese të rëndësishme ku ndodhet tashmë.

Top Channel