Automjetet, ndotëse të ajrit. Në “ditën pa makina”, pluhuri nën normat e BE

03/10/2015 14:30

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri, tregon se analizat e cilësisë së ajrit në Tiranë në ditën me dhe pa makina, dëshmojnë se lëvizja e rënduar e automjeteve, në rrugë është shkaku kryesor i ndotjes së ajrit.

Një ndër elementët më të rrezikshëm, i cili prej një dekade është në nivele të larta në Tiranë është pluhuri i respirueshëm.Ky tregues në ditën pa makina ka rezultuar nën normat e Bashkimit Europian.

“Në ditën me makina vlera e pm10 ishte 61.03 mikron për metër kub. Ndërkohë ditën pa makina ishte 36.7 vlera mesatare. Efekti i transportit është një nga elementët më të rëndësishëm në cilësinë e ajrit urban”, thotë Julian Beqiri, kreu i AKM.

Tirana do të vijojë të mbetet një ndër qytetet me ajër më të ndotur nëse, nuk investohet në cilësinë e rrugëve, në sinjalistikë dhe në transportin publik.

Kryeqytetasit e kanë të vështirë të lëvizin me biçikleta, pasi nuk ka korsi të veçantë në një pjesë të madhe të rrugëve.

“Elementi kryesor negativ dhe cilësia e ajrit urban janë grimcat e pluhurit ku shihet një ndryshim shumë i madh nga dita me makina, dita pa makina. Bashkia e Tiranës patjetër duhet të përmirësojë transportin publik, pra autobusat të jenë të një standardi më të mirë. Kjo bën që njerëzit të përdorin autobusin dhe jo makinën privare. Përmirësimi i sinjalistikës rrugore dhe të kemi korsi biçikletash”, thotë Beqiri.

Top Channel