Zvicër, ministri i Diasporës viziton kandidatët shqiptarë për deputetë

03/10/2015 00:00

Ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati ka qenë këtë fundjavë në Zyrih të Zvicrës, ku është takuar me kandidatët shqiptarë për deputetë në Parlamentin qendror zviceran.

Gjatë takimeve, ai shprehu kënaqësinë e tij për faktin se, të rinjtë shqiptarë nuk qëndrojnë indiferentë dhe kanë guximin t’i hyjnë një gare të tillë zgjedhore, në funksion të integrimit sa më të madh në jetën publike zvicerane.

“Diaspora është ajo pjesë e kombit shqiptar, që ka dhënë kontribut të fuqishëm dhe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, në të gjitha kohërat dhe për të gjitha situatat”, tha Murati.

Më tej, ministri i Diasporës theksoi se, momentalisht, diaspora është në tranzicion, në një pikë kthese, prej fazës së mobilizimit për të ndihmuar çlirimin e Kosovës drejt një faze integrimi dhe fuqizimi në jetën politike, si formë e mundësi tjetër e ndihmës për atdheun.

“Pavarësisht rezultateve që do të merrni si kandidatë në këto zgjedhje, rruga në të cilën jeni futur garanton suksese të padiskutueshme. Inkuadrimi dhe fitimi i mundshëm i ndonjë mandati në Parlamentin zviceran përbën kulmin e integrimit të shqiptarëve në Zvicër”, deklaroi ministri Murati.

Ai porositi që shqiptarët të jenë sa më të organizuar si komunitet dhe në unitetin e tyre të mos reflektohet raporti i partive politike në Kosovë.

Në anën tjetër, të gjithë kandidatët për deputetë në Parlamentin e Zvicrës, të pranishëm në këtë takim, shprehën falenderimin e tyre për vizitën dhe mbështetjen e ministrit Murati. Ata gjithashtu falënderuan partitë zvicerane për mundësinë e dhënë, që të jenë pjesë e listave të tyre zgjedhore, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për çështjen e Kosovës.

Top Channel