Peshkopi, vritet në aksident rrugor 42-vjeçarja. Dy të plagosur

03/10/2015 00:00

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Peshkopi-Maqellarë, në afërsi  të fshatit Grezhdan. Dy mjete, njëri tip “Audi” dhe tjetri tip “Ford Galaxy” janë përplasur me njëri-tjetrin dhe për pasojë ka humbur jetën pasagjerja e ndodhur në mjetin “Ford”, Florina Markja, rreth 42 vjeç.

Në aksident janë plagosur gjithashtu, në gjendje të rëndë, dy drejtuesit e mjeteve; Blendi Markja, drejtues i “Ford”-it, dhe Oltjon Tafçiu, drejtuesi i “Audi”-t , të cilët janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Peshkopisë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë më dije se, shkak i aksidentit është bërë mjeti tip “Audi”, i cili ka qenë duke udhëtuar në sens të kundërt dhe me shpejtësi të madhe, shoferi nuk ka manovruar dhe për pasojë është përplasur me “Ford”-in, drejtuesi i të cilit i ishte ngjitur murit prej betoni me qëllim shmangien e aksidentit.

Aksidenti që i mori jetën 42-vjeçares dhe la dy të rinj të plagosur ishte shumë i fuqishëm, aq sa mjetit “Audi” i ishte shkëputur motori dhe gomat e para. Policia dhe forcat zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë punuar për zbardhjen e rrethanave të saj.

Top Channel