Mungesa e energjisë, banorët e Kamzës sërish në protestë

03/10/2015 00:00

Protesta e mbi 200 familjeve në zonën e ish-Institutit Bujqësor, të cilët prejt 8 muajsh nuk kanë energji elektrike në banesat e tyre, ka vijuar edhe këtë të shtunë.

“Të vendosin sahate në çdo hyrje dhe në çdo familje, ose nëse kjo është e pamundur ta bëjnë siç e ka pjesa më e madhe e njerëzve, sepse nuk i kanë të gjithë aforfe, dhe ne do t’u përgjigjemi. Ne u përgjigjëm edhe me atë çmim, me sahat kolektiv, e megjithatë nuk na i sollën dritat”, tha një banor protestues.

Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmata ka kërkuar, që shteti shqiptar të gjejë mekanizmat ligjorë, në mënyrë që këta banorë të kenë ujë dhe energji elektrike.

“Këto 200 familje duhet të pajisen me sahatë matës dhe të fillojnë të paguajnë për atë që konsumojnë. Le të lidhen kontratat, sepse kjo çështje po shfrytëzohet si alibi. Nuk u lidhkërkan kontrata individuale, pasi këta nuk kanë një kontratë 5-vjeçare me ndërmarrjen e trajtimit të studentëve. Nëse qeveria gjen ligje dhe shtigje për të dhënë 600 milionë euro CEZ-it, nuk e gjen dot një zgjidhje për këta banorë? Qoftë edhe një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave sesi duhet të trajtohen këta, është skandaloze. Në këto kushte, në këtë mjerim e varfëri ekonomike, nuk mund t’iu shtosh edhe mungesën e dritave e të ujit. Janë nevoja bazike”, u shpreh deputetja demokrate.

Banorët u shprehën se fëmijët dhe të moshuarit po përballen me probleme të mëdha shëndetësore dhe sociale.

Top Channel