Kosovë, hetime për atentat ndaj kryekomunares së Gjakovës

03/10/2015 00:00

Policia e Kosovës konfirmon se ka hapur një rast hetimor, në lidhje me dyshimet për organizimin e vrasjes së kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Në një deklaratë për Top Channel, zëdhënësi Baki Kelani tha se, hetimet janë realizuar nga Drejtoria e Krimeve të Renda të Policisë së Kosovës, ndërsa rastin është duke e udhëhequr Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ka qenë vetë kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka zbuluar ditët e fundit detaje të tentativës për vrasje në media, duke thënë se është lajmëruar nga Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, se e kishte jetën në rrezik dhe se mund të bëhej objekt sulmi.

Kusari-Lila ka bërë të ditur se personat, të cilët kanë dashur ta vrasin atë, janë shtetas shqiptarë nga Tropoja. Ajo ishte njoftuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë për këtë plan, i cili edhe i kishte ofruar mbrojtje policore.

Sipas vetë Kusari-Lilës, Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë i kanë identifikuar dy personat e angazhuar, të cilët kishin qëndruar në Gjakovë afër shtëpisë së saj, ndërsa ndërmjetësit ose të interesuarit për ta vrarë atë janë nga Komuna e Gjakovës.

I tërë plani ishte përgatitur pikërisht në qytetin e Gjakovës.

Top Channel