“Tartufi” nis sezonin e Teatrit Kombëtar

03/10/2015 00:00

Teatri Kombëtar nis sezonin e ri artistik më 3 tetor me shfaqjen “Tartufi”. Vepra e Molierit do të ngjitet në skenë nga regjisori Erion Kame, me disa nga aktorët më të njohur, si Laert Vasili, Ligoraq Riza, Justina Aliaj e Rajmonda Bulku.

Gjatë sezonit të ri, i cili vazhdon deri në fund të muajit maj, do të jenë 8 vepra që do t’i prezantohen publikut, 6 prej të cilave premiera.

“Besoj se gjëja më e rëndësishme për këtë sezon është fakti që ne kemi tentuar të shkojmë drejt një cilësie artistike të lartë në përzgjedhjen e teksteve. Më parë, nuk e kujtoj që të kemi pasur brenda një viti në Teatrin Kombëtar “Chekhov”, “Shakespeare”, “Pirandello”, “Sheppard”, “Aristophane”. Kemi një mozaik shumëngjyrësh nga epoka të ndryshme por dhe nga dramaturgë shumë të mëdhenj”, u shpreh drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli.

Teksa repertori i larmishëm, që i ofrohet publikut, konsiderohet si një pikë e fortë për vetë Teatrin Kombëtar; një shqetësim që mbetet në këtë institucion janë pasojat, që vijnë nga ambientet e ngritura në Pedonalen e gjendur pranë tij.

“Ky është një problem vërtet serioz. Unë kam biseduar dhe kam pasur kontakte edhe me kryetarin e Bashkisë, i cili më ka dhënë fjalën se do të merren masa të menjëhershme. Burgosja e teatrit – sepse kështu mund ta thuash, në të dyja krahët e kemi të izoluar. Në njërin krah është skeleti i një konstruksioni koncertesh, ndërsa në anën tjetër është bllokuar për faktin se po rikonstruktohen godinat e Ministrisë, – kam frikë se do të ndikojë në uljen e numrit të spektatorëve dhe në aktivitetin tonë normal, duke pasur parasysh se gjatë kohës që ne zhvillojmë shfaqje, gjëja më e papranueshme është fakti që edhe era e qofteve, edhe muzika e tmerrshme, bezdisëse dhe me volum të lartë jo vetëm ndikon në to, por na shkatërron spektaklin. Duke e bërë këtë na largon edhe publikun. Unë ëndërroj që, atë fitore të madhe që patëm vitin e kaluar, për kthimin e publikut në skenën e Teatrit Kombëtar të mos ta humbim sivjet, për gjëra të këtilla që i kanë të gjitha mundësitë për t’u sistemuar”, tha më tej Hervin Çuli.

Top Channel