Shkodër, vritet komandanti i FNSH-së; autori, shkëmbim zjarri me policinë dhe RENEA-n

03/10/2015 00:00

Komandanti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës ka mbetur i vrarë pasditen e së shtunës gjatë një operacioni për kapjen e një të dyshuari, i cili ka bërë një rezistencë të armatosur ndaj forcave të rendit.

Policia, forcat e RENEA-s dhe FNSH-së kanë ndërhyrë me forcë për të arrestuar 50-vjeçarin Ruzhdi Arishta, duke përdorur një autoblindë për të depërtuar në banesën e tij, pasi ai ka refuzuar thirrjet për t’u dorëzuar.

Madje, kur ka parë uniformat blu të afrohen, ai ka hapur zjarr ndaj tyre, duke detyruar efektivët e RENEA-s të përdorin gaz lotësjellës.

Gjithçka nisi në orët e pasdites, kur uniformat blu, në bashkëpunim me ato të FNSH-së, rrethuan banesën e Arishtës, pasi pak momente më parë ai kishte plagosur me armë zjarri një 21-vjeçar.

Por ai reagoi duke hapur zjarr ndaj agjentëve dhe duke plagosur rëndë komandantin Simon Gjeta, i cili ndërroi jetë pak më vonë, rrugës për në spital.

Burimet policore kanë saktësuar se, Arishta ishte përfshirë në një sherr me një fqinjin e tij në fshatin Oblikë, gjatë të cilit kishte qëlluar me armë 21-vjeçarin Besmir Sherbela.

Ngjarja ka pasur në sfond një gardh të ngritur mes banesave të dy personave. Sherbela mori një plagë në shpatull, ndërsa Aishta u strehua në banesën e tij. 21-vjeçari i plagosur u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burimet shtojnë më tej se Arishta njihet si person problematik dhe me rrezikshmëri shumë të lartë. Për kapjen e tij uniformat blu kanë bllokuar aksin kombëtar Shkodër-Muriqan dhe u kanë bërë thirrje banorëve të zonës që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Top Channel