Vrasja e efektivit; Rama: Ngushëllime familjes së dëshmorit; Basha: Mbështesim policinë

04/10/2015 00:00

Vetëm pak orë pas përfundimit të aksionit policor për kapjen e vrasësit të efektivit të FNSH-së, që përfundoi me neutralizimin e tij, kryeministri Rama i ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes; nënës, vëllezërve dhe motrës; së dëshmorit të Policisë së Shtetit, rënë mbrëmë në fushën e luftës me krimin, Simon Gjeta.

“Arritjet e mëdha të Policisë së Shtetit në fushën e kësaj lufte, pa asnjë tolerancë të shtetit me krimin, janë vepër e shqiptarëve të mirë si Simon Gjeta, emri i të cilit, deri dje i panjohur mes mijëra të tjerëve nën uniformën blu, sot u bashkohet atyre që dhanë jetën në krye të detyrës. Me bindjen e thellë se, gjaku i dëshmoreve të Policisë së Shtetit do të plazmojë gjithnjë e më thellë ndjenjën e lartë të detyrës dhe shpirtin e sakrificës së çdo shqiptari e shqiptareje, që është pjesë e trupës së rilindur të Policisë, si edhe me angazhimin e palëkundshëm për t’i shkuar deri në fund përpjekjeve shtetndërtuese, në radhë të parë për sundimin e ligjit në Shqipëri, përulem me respektin më të thellë përpara veprës së dëshmorit Simon Gjeta”, shprehet kryeministri Rama.

Ndërkohë, mbrëmjen e së shtunës ka reaguar edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, deklaroi se ishte në mbështetje të aksionit të forcave të rendit në Shkodër, për neutralizimin e vrasësit të policit. Basha tha se të gjithë duhet të mbështesim policinë dhe se lutjet e tij shkonin për oficerin që ra në krye të detyrës.

Në operacionin policor për neutralizimin e vrasësit të Gjetës në Shkodër u angazhuan 250 forca policore, 15 automjete ndër të cilat 5 të blinduara, qen gjurmues, mburoja kolektive antiplumb dhe kamera me fibër optike. Në krye të operacionit ishin krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, drejtori i Përgjithshëm Haki Çako, si dhe të tjerë si Ardian Çipa, AltinQato e Niko Brahimaj. I pranishëm ishte gjithashtu edhe drejtori i Krimeve të Rënda, Arben Dashi.

Top Channel