PD: Ndryshimi i ligjit i hap rrugë barnave të skaduara

04/10/2015 11:45

Demokratët i kanë kërkuar Prokurorisë të hetojë atë që ata e quajnë “sipërmarrja kriminale në kurriz të shqiptarëve dhe shëndetit të tyre, përmes barnave që po lejohen të hyjnë në Shqipëri”.

Ligji i ri i qeverisë për ilaçet, që ka nisur diskutimin në komisionet parlamentare, heq nga ligji aktual për barnat pikërisht atë nen që ndalonte futjen e një medikamenti që nuk ka qarkulluar të paktën dy vjet në vendet e Bashkimit Europian. Kjo për demokratët është tejet e rrezikshme, pasi në vend do të futen ilaçe të skaduara.

“Qeveria dhe ministria po kërkojnë të heqin pikërisht atë nen të ligjit që shërben si garanci për ilaçet që hyjnë në vendin tonë, duke i hapur rrugët e importit skarciteteve, vetëm e vetëm që biznesi i miqve dhe klientelës Rama-Beqja të lulëzojë, pa marrë në konsideratë shëndetin e qytetarëve. Kjo garanci për pacientët shqiptarë, është pengesë për biznesin e Ramës dhe Beqjas, ndaj ata po kërkojnë ta heqin, duke vënë në rrezik shëndetin, sigurinë e barit, cilësinë e tij”, tha deputeti Roland Keta.

Demokratët i kanë bërë thirrje qytetarëve të reagojnë fuqishëm në mbrojtje të shëndetit të tyre.

Nga ana tjetër, opozita kërkoi përgjigjen e ministrit Beqja se ku kanë shkuar 35 miliardë lekë të nxjerra nga Arka e Shtetit për shëndetësinë falas, pavarësisht se nuk kanë asnjë dyshim për këtë: që paratë e qytetarëve për shëndetësinë kanë shkuar, sipas saj, në xhepat e qeveritarëve dhe klientëve të tyre të biznesit të barnave dhe shërbimeve spitalore.

Top Channel