Nishani: Lajm i rëndë për të gjithë shqiptarët

04/10/2015 12:05

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shprehu ngushëllimet për rënien në krye të detyrës të komandantit të FNSH-së në Shkodër, Simon Gjeta.

Në mesazhin e kreut të shtetit drejtuar familjarëve të Simonit, lexohet: “Lajmi për ndarjen e parakohshme dhe tragjike nga jeta të komandantit të FNSH-së në Shkodër, duke rënë në krye të detyrës, është tejet i rëndë jo vetëm për ju, por edhe për të gjithë shqiptarët. Në këto momente të dhimbshme, më lejoni që në emrin tim dhe të familjes sime si dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e pazëvendësueshme të bashkëshortit dhe babait të dashur, Simonit tuaj të shtrenjtë”.

“Në cilësinë e Kreut të Shtetit, duke dënuar ashpërsisht aktin gjakatar, u bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve ligjzbatuese që të punojnë pareshtur pavarësisht nga ngjarja e rëndë dhe tronditëse, në luftën e tyre të përditshme kundër krimit”, shtohet në mesazhin e Presidentit të Republikës.

Top Channel