Siria, Merkel: Sulmet ishin të pashmangshme, por nuk i japin fund luftës civile

04/10/2015 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë për mediat gjermane se ndërhyrjet ushtarake ishin të domosdoshme në Siri, edhe pse ato mund të mos çojnë në fundin e luftës civile 4-vjeçare në vendin e Lindjes së Mesme.

Merkel tha se kishte komunikuar me Presidentin rus, Vladimir Putin, në lidhje me konfliktin në Siri teksa ndodheshin në Paris të premten, ku zhvilluan edhe një takim zyrtar me të dhe me krerët e Francës dhe Ukrainës.

“Sa i përket Sirisë, dhe e them për herë të parë këtë, ne kemi nevojë të pashmangshme për ndërhyrje ushtarake, të cilat gjithsesi nuk do të sjellin zgjidhjen e konfliktit. Për të është e nevojshme gjithashtu edhe procesi politik, i cili nuk është se ka pasur zhvillimet e duhura deri më tani”, tha Kancelarja gjermane.

Merkel u shpreh gjithashtu se do të ishte e nevojshme të përfshihej edhe regjimi i Presidentit sirian, Bashar al-Assad në bisedimet për paqen. Komentet e saj duket se u bëjnë jehonë mbështetjes edhe më të zgjeruar ndaj veprimeve ushtarake në Siri, si dhe faktit që Assad duhet të luajë një rol në tryezën e negociatave gjatë diskutimeve për t’i dhënë fund luftës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë janë përfshirë në veprime ushtarake në Siri prej një kohe të gjatë tashmë, ndërkohë që Rusia nisi sulmet e saj ajrore vetëm pak ditë më parë, duke deklaruar të shtunën se do t’i përshkallëzonin ato.

Gjermania nuk po merr pjesë në ndonjë prej sulmeve ajrore në Siri, ndryshe nga sa ndodh në Irakun fqinj, ku vendi më i zhvilluar europian po furnizon forcat kurde “Peshmerga” me armë dhe me trajnime.

Top Channel