Përmbytje apokaliptike në Francë, të paktën 16 të vdekur

04/10/2015 00:00

Stuhi të fuqishme dhe përmbytjet kanë përfshirë juglindjen e Francës, duke lënë të paktën 16 persona të vdekur dhe 3 të tjerë të zhdukur.

Ngjarja, sipas zyrtarëve francezë, vijon të jetë e rënduar që prej mbrëmjes së të shtunës. 3 të moshuar janë mbytur, kur shtëpia e tyre e azilit, pranë qytetit Antibes, u përmbyt nga vërshimet e ujit.

Disa të tjerë ndërruan jetë të bllokuar brenda makinave të tyre nëpër tunele dhe parkingjet e nëntokës për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

Presidenti francez, Francois Hollande ka falënderuar ekipet e kërkim-shpëtimit dhe shprehu “solidaritetin e kombit me viktimat”. Ai, së bashku me ministrin e Brendshëm, Bernard Cazeneuve, kanë vizituar rajonet e prekura nga përmbytjet.

Reshje të dendura shiu kanë goditur edhe Rivierën franceze, që shtrihet në brigjet e Mesdheut dhe kufizohet me Italinë, gjatë pasdites së të shtunës. Qyteti i Nisës përllogaritet të ketë pasur 10% të mesatares vjetore të reshjeve të shiut vetëm gjatë dy ditëve të fundit.

Lumi “Brague” doli nga shtrati, duke përmbytur me ujërat e tij dy fshatra fqinje dhe qytetet. Pamjet e publikuara nëpër mediat sociale tregojnë sasi të mëdha uji edhe nëpër rrugët e Kanës. “Disa automjete kanë përfunduar në det”, tha kryebashkiaku Davis Lisnard. “Kemi shpëtuar shumë njerëz dhe duhet të mbetemi vigjilentë ndaj grabitjeve të mundshme”.

“Kemi kaluar këto dy ditë një situatë apokaliptike, të cilën nuk e kishin përjetuar kurrë më parë”, shkruan në Twitter Eric Ciotti, president i departamentit të Alpes-Maritimes. Rreth 27 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike.

Top Channel