Kush ishte nënkomisari Simon Gjeta

04/10/2015 00:00

Nënkomisar Simon Gjon Gjeta është lindur më 22 shkurt të vitit 1966 në Mirditë, ndërsa banonte në Tiranë prej një kohe të gjatë.

I ndari nga jeta vetëm një natë më parë gjatë kryerjes së detyrës, ishte me arsim të lartë dhe një punonjës policie i pranuar në strukturat e Policisë së Shtetit që prej 20 dhjetorit të vitit 1997.

Simon Gjeta, që prej vitit 1997 e deri më 30 qershor 2007 ka shërbyer në strukturat e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, fillimisht në Kurbin e më pas në Tiranë.

Të ndjerit i kishin shkëputur marrëdhëniet e punës më 30 qershor 2007 me motivacionin “shkurtim funksioni”, por u ripranua sërish në Policinë e Shtetit në vitin 2012.

E nisi këtë herë si pjesë e shërbimeve të hetimit të krimeve dhe sigurisë publike, në Komisariatin e Policisë së Fierit e më pas në Drejtorinë e këtij qarku, ku qëndroi për pak kohë, nga 26 dhjetori 2012 deri më 20 shkurt 2013.

Ndërkohë që prej kësaj date të dy viteve më parë dhe deri në momentet e fundit të jetës, kur edhe ra në detyrë, ai ka shërbyer në detyrën e specialistit të Taktikës, në seksionin e Operacioneve dhe Trajnimit në Komisariatin e Policisë së Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër.

Si pjesëtar i FNSH-së, Gjeta ka marrë pjesë në disa operacione për vendosjen e rendit dhe sigurisë publike, duke u përballur me elementë kriminalë të një rrezikshmërie shumë të lartë. Një i tillë ishte edhe operacioni i 3 tetorit 2015, kur humbi jetën në tentativë për të neutralizuar dhe kapur autorin e një plagosjeje në Shkodër.

Top Channel