Rikthehen sulmet me thika, palestinezët vrasin izraelitët

04/10/2015 00:00

Në Lindjen e Mesme janë rikthyer rastet e therjes me thika mes palestinezëve dhe izraelitëve, teksa dy sulme të tilla janë shënuar vetëm pak orë nga njëra-tjetra gjatë mesnatës së të shtunës dhe mëngjesit të së dielës.

Një palestinez goditi me thikë, duke e lënë të plagosur një adoleshent 15-vjeçar izraelit në Jeruzalem, vetëm pak orë pasi një tjetër agresor me mjete të ftohta kishte vrarë një ushtar izraelit jashtë orarit të punës, teksa shëtiste me gruan dhe fëmijët e tij, dhe një rabin, që vrapoi menjëherë për t’i ofruar ndihmë ushtarit, shumë pranë murit të Qytetit të Vjetër, bën të ditur policia.

Oficerët e policisë kanë qëlluar për vdekje të dy agresorët, ndërkohë që qeveria e Izraelit ka shpallur vendimin për të ndaluar hyrjen e palestinezëve në distriktin antik për dy ditë, me përjashtim të njerëzve që banojnë atje.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu bëri të ditur se ai pritet të takohet me shefin e sigurisë më vonë gjatë së dielës, për të diskutuar mbi veprimet e mëtejshme që duhen ndërmarrë për të ndalur valën e dhunës që ka prekur Jeruzalemin Lindor, ku përfshihen Qyteti i Vjetër dhe Bregu Perëndimor, zona që Izraeli i ka pushtuar gjatë luftës së vitit 1967.

Këto raste gjakderdhjeje vijnë pas një tjetër rasti në Bregun Perëndimor gjatë së enjtes, dhe atij që la të vrarë një palestinez me prindërit e tij në muajin korrik.

Top Channel