Çelet sinoda trijavore, Papa del kundër martesave gay

04/10/2015 00:00

Papa Françesku rikonfirmoi këtë të dielë kundërshtimin e Kishës Katolike ndaj martesave homoseksuale, teksa hapte mbledhjen trijavore të peshkopëve nga e gjithë bota, por tha se Kisha duhet të tregojë dashuri dhe mirëkuptim ndaj të gjithëve.

Ati i Shenjtë kryesoi meshën solemne në bazilikën e Shën Pjetrit për të hapur këtë takim të përvitshëm të njohur si “sinodë”, me temë kryesore familjen e kohëve moderne. Megjithatë, atmosfera përpara takimin, ku pjesëmarrës janë mbi 300 peshkopë e delegatë të tjerë, është dominuar nga çështjet e homoseksualëve.

Në prag të mbledhjes, Vatikani shkarkoi një prift polak nga puna e Selisë së Shenjtë, pasi rezultoi se ishte gay dhe bënte thirrje për ndryshime në mësimet katolike kundër aktivitetit homoseksual.

Katolikët konservatorë mbajtën një konferencë në Romë vetëm pak para se të niste sinoda, për të diskutuar sesi homoseksualët mund të jetojnë përballë rregullave të kishës që kërkojnë ndershmërinë e tyre, ndërkohë që aktivistë gay të besimit katolik mbajtën një tjetër bashkëbisedim, ku kërkuan pranimin e plotë të homoseksualëve nga kisha.

Papa Françesku ia dedikoi një të tretën e predikimit të tij çështjes së dashurisë mes mashkullit dhe femrës, si dhe rolit të kësaj të fundit në krijimin e jetës.

“Kjo është ëndrra e Zotit për krijesat e tij të dashura. T’i shohë ata të mbledhur në një bashkësi dashurie mes një burri dhe një gruaje, duke gëzuar në udhëtimin e tyre të përbashkët dhe të frytshme, sa i përket dhuratës së përbashkët”, tha Ati i Shenjtë. Ai foli edhe për “kuptimin e vërtetë të çiftit dhe seksualitetit njerëzor në planin e Zotit”, një referencë e qartë e martesave heteroseksuale.

Top Channel