Greqi, nis punimet Parlamenti i ri. Tsipras, gati për zbatimin e reformave

04/10/2015 00:00

Betimi i Parlamentit të ri dhe zgjedhja e kreut të tij, me 181 vota nga 297 deputetë të pranishëm, i hapin rrugë qerisë së re greke të fillojë menjëherë zbatimin e reformave të domosdoshme, që duhet të kalojnë më parë për miratim nga organi më i lartë i demokracisë në Greqi.

Parlamenti i ri duhet të miratojë një sërë reformash, që kanë lidhje me taksat, pensionet, sistemin shëndetësor, sektorin financiar dhe shërbimet publike, në mënyrë që Greqia të marrë nga huadhënësit e saj ndërkombëtar 8 mld euro deri në fund të vitit, 2 mld brenda këtij muaji, nga paketa e madhe e ndihmës prej 86 mld eurosh.

Këtë e ka pohuar edhe vetë kryeministri Alexis Tsipras, para grupit të tij parlamentar, duke iu kujtuar deputetëve të partisë që ai kryeson, se përse populli u dha përsëri votën.

“Kemi një punë të vështirë përpara dhe zbatimi i marrëveshjes së ndihmës nuk do të jetë një çështje e lehtë. Jemi të detyruar të marrim vendime, që janë të pakëndshme dhe të vështira, por do ta bëjmë, gjithmonë duke i thënë të vërtetën popullit grek dhe duke e sqaruar se, kjo është një rrugë e nevojshme për të dalë sa më shpejt nga sistemi i mbikëqyrjes. Menjëherë duhet të fillojmë diskutimin për çështjen e borxhit”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Përveç fillimit të negociatave me huadhënësit për reduktimin e borxhit kolosal të Greqisë, apo shtyrjen e afateve të pagesave të tij, Qeveria “Tsipras” synon gjithashtu të përfundojë sa më shpejt rikapitalizimin e bankave dhe të anulojë ligjin për kontrollin e kapitalit, dy pengesa të mëdha për ekonominë greke, ndërkohë që parashikimet për ritmin e zhvillimit të saj janë përsëri negative.

Kështu, në projektbuxhetin për vitin 2016 thuhet se, gjatë këtij viti Greqia, jo vetëm që nuk doli nga recesioni, por tkurrja e ekonomisë shkoi në -2.3%. Vlerësohet se, me siguri orët e ardhshme, qeveria do të përballet me presione të reja nga huadhënësit për masa të reja shtrënguese, si kusht për miratimin e kësteve të ndihmës në samitin e Eurogrupit, ndërsa prej ditës së hënë fillon në Parlament edhe diskutimi i programit qeveritar, që do të paraqesë për miratim kryeministri Tsipras.

Top Channel