“The Voice of Albania 5”, audicionet e Kosovës

04/10/2015 00:00

Në Prishtinë janë zhvilluar këtë të dielë audicionet e hapura për edicionin e 5-të të spektaklit televiziv “The Voice of Albania”, garë kjo që kërkon zërin më të mirë shqiptar.

Kandidatët pjesëmarrës në garë janë mbledhur nga të gjitha qytetet e Kosovës. Sipas tyre, spektakli “The Voice of Albania” mbetet mundësi e mirë drejt realizimit të ëndrrës.

“Duke qenë se merrem me muzikë, studioj muzikë, e kam parë si mundësi të mirë për afirmim. Është mundësi e mirë për ata që merren me këtë drejtim”, tha Sahit Vata, konkurrent.

“Po mbledh të gjithë artistët që janë në Prishtinë dhe më vjen mirë, që po shoh kaq shumë konkurrentë. Isha dhe në ‘The Voice 2’, nuk më pranuan atëherë, ndaj dhe mendova ta provoj sërish”, tha Dea Grajqevci, konkurrente.

Kandidatët kosovarë për zërin më të mirë shqiptar, në fazën e parë u vlerësuan nga producentja ekzekutive e spektaklit, Zefina Hasani, dhe drejtori artistik, Alban Male.

“Kosova, si gjithmonë nuk na zhgënjen në këtë drejtim. Gjithmonë vijmë me pritshmëri të larta për të gjetur zëra të mirë dhe deri tani jemi shumë të kënaqur. Kjo sepse, përveç zërave të mirë, po na vijnë edhe elementë që dinë të luajnë, janë artistë të vërtetë që dinë të luajnë edhe në instrumente të ndryshme. Kjo na gëzon, pasi në ‘The Voice’, krahas zërit sigurisht që vlerësohet edhe pjesa e njohurive dhe shpirtit artistik, që kanë konkurrentët”, tha Zefina Hasani, producente ekzekutive e “The Voice of Albania”.

“Më vjen mirë që Prishtina vazhdon të jetë një destinacion, ku gjejmë vazhdimisht zëra interesantë. I ftoj të gjithë të marrin pjesë, qoftë edhe nëse kanë qenë përpara në festivale apo emisione të ngjashme diku. ‘The Voice’ është i hapur dhe nuk ekziston klauzola që, nëse keni marrë pjesë diku, nuk mund të merrni pjesë te ne. ‘The Voice’ u përket të gjitha moshave dhe stileve”, tha Alban Male, drejtor artistik i “The Voice of Albania”.

Përpara fillimit të edicionit të 5-të të “The Voice”, kanë mbetur edhe dy audicione të hapura, më 11 tetor në Tetovë dhe më 18 tetor në Tiranë, për të cilat ende mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit.

Top Channel