Kosovë, asnjë interesim për operatorin e tretë të telefonisë celulare

04/10/2015 00:00

Serbët nuk kanë shprehur ende interesim zyrtarisht për të aplikuar për operatorin e tretë të telefonisë së lëvizshme në Kosovë, ashtu siç e parashikon marrëveshja për Telekomin, e nënshkruar mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Këtë e ka bërë të ditur për “KosovaPress”, Ekrem Hoxha, kryetar i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

“Pranë ARKEP-it nuk kemi të regjistruar asnjë aplikim nga ndonjë kompani me origjinë nga shteti i Republikës së Serbisë. Meqenëse nuk kemi ndonjë aplikim apo interesim konkret, edhe përgjigjja ime ndaj jush, se në cilat zona apo me çfarë shërbimesh do operojnë ndërmarrjet e autorizuara sipas legjislacionit të aplikueshëm, është e pamundur t’iu komunikohet”, ka thënë Hoxha, përmes përgjigjes elektronike.

Në bazë të marrëveshjes që ka siguruar “KosovaPress”, operatori serb duhet të aplikojë maksimumi deri më 15 nëntor të këtij viti. Ndërsa koha, kur operatori serb pajiset me licencë nga ARKEP, sipas marrëveshjes bëhet më 15 janar të vitit 2016.

Po ashtu, në marrëveshje thuhet se, ky autorizim do të dorëzohet në të njëjtën ditë kur kodi i ITU-së i jepet Kosovës. Ndërsa, siç thuhet në marrëveshje, ky autorizim i përkohshëm nuk do të skadojë para datës 1 mars 2017.

Kryetari i ARKEP, Ekrem Hoxha tha se marrëveshja për Telekomin parashikon, që operimet në segmentin e telefonisë së lëvizshme do të jenë të kufizuara brenda infrastrukturës aktuale në terren, duke iu referuar pjesës veriore të vendit.

Hoxha u shpreh gjithashtu se, në marrëveshjen e Telekomunikacionit janë të parashikuara afatet respektive, të cilat janë të ndërlidhura dhe kushtëzuara me zbatimin e pikave respektive, siç edhe mund të konstatohet nga dokumentet publike.

Top Channel