Berat, ujërat e zeza vazhdojnë të ndotin Osumin

04/10/2015 18:50

Ujërat e zeza të qytetit të Beratit dhe të gjitha mbetjet urbane vazhdojnë të derdhen në lumin Osum, i cili përshkon qytetin mes për mes.

I ndodhur  mes dy lagjeve muzeale, Mangalem e Goricë, lumi i ndotur prej vitesh është bërë një gangrenë për qytetarët e Beratit, ndërsa për turistët një imazh tepër negativ.

Qytetarët kanë shprehur shqetësimet e tyre pranë institucioneve përkatëse, por deri më sot asnjë zgjidhje.

Në çdo fushat elektorale ka qenë një ndër premtimet, ndërsa prej vitesh ujërat e zeza vijojnë e derdhen në Osum.

Gjatë gjithë stinës së verës era e keqe dhe rreziku i epidemisë ka qënë i pranishëm, ndërsa firma që premtoi se do e kthente  drejt kolektorit kryesor vijoi ta derdhte në lumë.

Gjithsesi qyteti i Beratit si qyteti i mbrojtur nga UNESCO mbart shumë probleme në drejtim të ndotjes, pasi mbetjet urbane dhe ujërat e zeza vazhdojnë të jenë problem i ditës si për banorët ashtu dhe për turistët vendas e të huaj.

Top Channel