Infermierë shqiptarë në Gjermani, Rama: Kjo është rruga e ligjshme

05/10/2015 10:25

250 infermierë shqiptarë do të shkojnë të punojnë në mënyrë të ligjshme në spitalet dhe klinikat gjermane. Nga 1000 aplikantë janë përzgjedhur vetëm 250, të cilët si fillim do të trajnohen  përsa i përket gjuhës gjermane për 12 muaj.

Kryeministri i vendit, Edi Rama i bëri thirrje të rinjve të mos lënë vendin  duke kërkuar azil, pasi kanë të sigurtë kthimin  në Atdhe, por t’i drejtohen arsimit profesional çka u garanton  atyre punë në mënyrë të ligjshme  në Gjermani.

“Sot Gjermania e madhe dhe Shqipëri e vogël janë të detyruara të bashkëpunojnë. Problem mbetet zgjdhja e azilkërkuesve. Gjermania shikohet si vendi që mund të zgjidhë  më shpejt dhe më mirë ëndrrat e popujve të Europës. Pjesë e këtij ndryshimi  të madh është mundësia që kanë të rinjtë e vendit tonë dhe të gjithë rajonit për të punuar në Gjermani nëpërmjet rrugës së ligjshme e cila nuk është aq e shkurtër sa ajo e azilit. Ndërkohë që ajo e azilit ka vetëm një mundësi, kthehesh po këtu”, tha Rama.

Në të njëjtën linjë ka qënë edhe ambasadori i Gjermanisë  Hoffman,  i cili u kërkon të rinjve t’i drejtohen rrugëve ligjore për të siguruar një punë në Gjermani.

“Gjermania është mjaft e interesuar për arsimin profesional në Shqipëri. Gëzohem që tregu gjerman po hapet për forca të kualifikuara shqiptare ndaj nëse dikush do të punojë në Gjermani, mos kërkoni azil politik se është rruga më e keqe por drejtohuni projekteve të organizuar ligjore”, tha Hoffman.

Kryeministri Rama vlerësoi projekte të tilla që mundësojnë punësimin e ligjshëm në Gjermani ndërkohë që u shpreh se prej dy vitesh qeveria është e angazhuar për të nxitur arsimin profesional.

“Sepse në 20 e kusur vite u parapëlqye të ndërtohej shteti i qofteve të dajës. Dhe një i tillë ishte universiteti. T’iu hapnin të rinjve një perspektivë false, një autostradë pa korsi, pa limit shpejtësie, për të shkuar të gjithë në universitete. Dhe u bëmë vendi me numrin më të madh të universiteteve në Europë”, tha Rama.

Sipas kryeminstrit Rama, çdo vit Gjermania ka nevojë për 10 mijë infermierë dhe plot  140 profesione për të cilat mund të aplikohet dhe të sigurohet punë në mënyrë të ligjshme.

Top Channel