Demarkacioni, Haradinaj mbledh rugovarët: Marrëveshja nuk jetësohet!

05/10/2015 14:10

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u ka premtuar banorëve të zonës së Rugovës, në kufirin me Malin e Zi, se nuk do të jetësohet marrëveshja për demarkacionin. Këto deklarata, ai i bëri në një takim me banorë të zonave kufitare, në selinë e partisë së tij në Prishtinë.

Ai tha se ka diskutuar edhe me deputetë të partive të tjera dhe, kur demarkacioni të dërgohet në Kuvend për ratifikim, sipas Haradinajt, aty ai do të korrigjohet dhe kufiri do të kthehet atje ku ka qenë gjithmonë.

“Unë kam folur prej kohësh dhe personalisht kam thënë se, gjithçka mund të ndodhë në këtë jetë. Personalisht nuk mund të pranoj kurrsesi kufi në gjysmë të Rugovës. Edhe nëse e pranon Rugova, unë sërish nuk mund t’i them Amin. Do të ishte çmenduri për mua, t’i thoja Amin dikujt që do ta sillte kufirin në gjysmë të Rugovës. Edhe kështu siç është e kanë rrudhur Rugovën, sepse dikur ajo ka qenë shumë më e madhe, më lart, por historia e ka prerë dhe sakatuar. Nëse i bëjmë edhe këtë që pritet t’i bëjmë ne, nuk mbetet gjë tjetër veçse ta mbysim krejt Rugovën”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Vetë banorët e Rugovës u treguan edhe më të ashpër se Ramush Haradinaj, teksa paralajmëruan deri në luftë për të mbrojtur pronat shqiptare.

“Si qytetar i Rugovës dua të them se Rugova nuk do ta pranojë kurrë atë kufi, ku e kanë vendosur së fundi. Pa marrë parasysh se çfarë na kushton dhe sa na kushton”, tha një banor.

“Ne jemi të gatshëm t’i veshim sërish çizmet, ashtu siç i kanë veshur babai, gjyshi, stërgjyshi dhe katragjyshi ynë. Malit të Zi, jam i bindur tërësisht se i është imponuar prej udhëheqësisë sonë, që të bëhen këto shënime. Megjithatë, ka ende Avni Rustemë. Dijeni dhe po iua them këtu. Jam unë organizatori për të kryer disa punë, të cilët i nevojiten kombit shqiptar. Këtë le ta dijë edhe Isa Mustafa”, tha një tjetër banor i Rugovës.

Ndaj këtyre deklaratave të ashpra në partinë e Haradinajt, gjatë ditës së hënë ka reaguar zyra e kryeministrit Isa Mustafa.

Përmes një komunikate për media, zyra e kryeministrit ka sqaruar se, vija kufitare me Malin e Zi është ajo, mbi të cilën është shpallur Pavarësia e Republikës së Kosovës dhe, në të cilën është njohur Kosova si shtet sovran dhe i pavarur.

Sipas komunikatës, deputeti Ramush Haradinaj dhe çdo qytetar tjetër kanë të drejtë të argumentojë me dokumentacion konkret, nëse ndonjë pjesë e territorit të Kosovës, qoftë pronë e tij apo pronë publike, ka kaluar në favor të Malit të Zi.

Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se, akush nuk ka paraqitur ndonjë argument të tillë me shkrim në Qeveri. Kërcënimet e Haradinajt – sipas Qeverisë, – nuk janë argumente, por flasin për mungesën e argumenteve.

Top Channel