Refugjatët, aleatët e Merkelit kërkojnë vendosjen e kufizimeve

05/10/2015 00:00

Aleatët konservatorë të Angela Merkelit kanë ngritur zërin e kërkojnë kufizime, sa i takon pranimit të emigrantëve pas parashikimeve të gazetës “Bild” se, numri i refugjatëve që do të vërshojnë drejt Gjermanisë këtë vit do të jetë një milionë e gjysmë.

Kancelarja këmbëngul se vendi i saj është në gjendje t’i bëjë ballë valës së të ardhurve. Kriza e refugjatëve ka peshë të madhe vërtet, tha Merkel mbrëmjen e së dielës për radion “Deutschlandfunk”, peshë të cilën Gjermania është mëse e aftë ta përballojë.

Më tej në intervistë, shefja e ekzekutivit gjerman theksoi edhe njëherë nevojen e përshpejtimit të procedurave të azilit dhe forcimit të kufijve, ndërsa e përshkroi si thelbësore gjetjen e arsyeve përse njerëzit largohen që në burim.

“Bild”-i, gazeta më e shitur në Gjermani, raportoi sot se në dyert e vendit mund të mbërrijnë këtë vit plot 1,5 milionë refugjatë, në një kohë kur zyrtarisht ishte pohuar se, Gjermania përgatitet për një fluks prej e shumta 800 mijë personash.

Gazeta citon një “parashikim të brendshëm”, të klasifikuar sipas saj si “sekret”, ndërsa nuk jep detaje të mëtejshme. Artikulli i “Bild”-it e vendos në 6000 deri në 10 mijë në ditë numrin e kalimeve të paligjshme të kufirit për tremujorin e katërt të vitit.

Idesë mbi domosdoshmërinë e frenimit të fluksit të të mbërriturve i mëshoi gjatë një interviste për ZDF-në vetë ministri i Financave, Wolfgang Schauble. “Duhet ta kufizojmë medoemos valën e emigrantëve, – ishin fjalët e tij. – Ne nuk e menaxhojmë dot më këtë situatë në nivel kombëtar. I takon BE-së të merret me këtë punë tani”, shtoi Schauble, ndërsa blloku duket se është hedhur vërtet në veprim.

Të dielën, “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” dhe “ARD” raportuan se Komisioni Europian dhe qeveria turke kanë rënë parimisht dakord me ngritjen e 6 kampeve të reja të refugjatëve, me kapacitet akomodues për gati dy milionë persona, si dhe shtimin e patrullimeve në kufirin greko-turk.

Kriza e emigrantëve do të përbëjë boshtin e bisedimeve të Recep Tayyip Erdoganit me zyrtarë të BE-së në Bruksel, ku Presidenti turk pritet të kërkojë ndër të tjera përfshirje më të madhe të bllokut në përpjekjet për fundin e luftës civile në Siri.

Top Channel