Pensionet, radhë të gjata të veteranëve të UÇK-së

05/10/2015 16:55

Një numër i madh ish-luftëtarësh të UÇK-së, të cilët gëzojnë statusin e veteranit, janë mbledhur të hënën para Qeverisë së Kosovës për të aplikuar për shumën e pensionin që u takon.

Aplikimi për vërtetimin që u mundëson marrjen e pensionit prej 170 euro, ka krijuar radhë të gjata dhe për pasojë njëri nga veteranët ka humbur ndjenjat dhe në vendngjarje ka ardhur ndihma e shpejtë.

Kjo ka shqetësuar veteranët, pasi sipas tyre aplikimi për vërtetimin në fjalë duhet të bëhej nëpër komuna të ndryshme të Kosovës dhe jo të detyrohen të gjithë të vijnë para Kryeministrisë në Prishtinë.

Udhëheqësi i Zyrës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në Zyrën e Kryeministrit, Faik Fazliu, tha se nuk prisnin një fluks të tillë të veteranëve, ndaj dhe do të shqyrtohet mundësia që ky process të kryhet edhe nëpër komuna.

Unë kam biseduar me disa kryetarë të  degëve të organizatës në mënyrë që bashkarisht me stafin tonë t’i marrim të dhënat personale për personat që kanë apliku dhe në bashkëpunim me disa njerëz të komunave që të fillojmë t’i shpërndajmë edhe nëpër komuna, mirëpo sot nuk po di, nuk po e kuptoj pse është ky fluks kaq i madh. Ne jemi munduar ta bëjmë njoftimin që nuk është e domosdoshme vetëm sot të nxirret ky vërtetim. Këto vërtetim do te ipen në vazhdimësi, nuk ka një afat të caktuar”, thotë ai.

Top Channel