Kosovë, Veseli fton sërish opozitën në Kuvend. Por kriza thellohet…

05/10/2015 00:00

Subjektet politike, që përbëjnë shumicën parlamentare në Kosovë, shpresojnë që të enjten do të mund të vazhdojnë punimet e seancës plenare, pavarësisht nga qëndrimi i opozitës. Nga ana tjetër, duket se kriza sa vjen e thellohet.

Kryesia e Kuvendit vijoi punën këtë të hënë pa praninë e anëtarëve opozitarë, të cilët qëndrimet e tyre i shprehën përmes një konference për mediat. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke mos komentuar fare bojkotin e opozitës, propozoi fillimisht shtyrjen e seancës për të premten, pasi shumë deputetë kanë shprehur interesim ta ndjekin nga afër ndeshjen Shqipëri-Serbi.

Për seancën parlamentare, e cila u caktua gjithsesi të mbahet të enjten, shefi i grupit parlamentar fton opozitën, që të pranojë ftesën për debat në Kuvend.

“Ne po i bëjmë thirrje opozitës të vijë në Parlament, e t’i dëgjojmë këtu qëndrimet e të gjitha grupeve parlamentare”, tha Adem Grabovci.

Tri subjektet opozitare, ndërkaq, vazhdojnë rrugën e tyre në kundërshtim të ideve që vijnë nga qeveria. Për AAK-në, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nismën për Kosovën nuk ka rrugë tjetër, përveç kthimit mbrapsht të marrëveshjeve – siç thotë deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, – apo tërheqja e nënshkrimit, siç është qëndrimi i prerë i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne mendojmë se ka vetëm një zgjidhje sa u përket marrëveshjeve. Dhe ajo është, që Isa Mustafa të tërheqë nënshkrimin dhe të rimendojë pozicionin e tij karshi faljes së 8200 hektarëve, që i ka bërë Malit të Zi me demarkacionin”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV-së.

“Ne sot i bëjmë thirrje qeverisë dhe deputetëve të shumicës, që të zhbllokojnë Kuvendin përmes rishqyrtimit të këtyre marrëveshjeve, kthimit mbrapsht të tyre, diskutimit në Parlament dhe përfshirjes së Kuvendit. Nuk duhet përjashtimi i tij, apo sjellja e tij në një gjendje, që të informohet vetëm pas dhënies së vendimeve nga ekzekutivi”, tha Donika Kadaj Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së.

Marrëveshjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe marrëveshja ndërshtetërore për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi janë çështje, që kanë përplasur rëndë pozitën dhe opozitën në Kosovë. Prej dy javësh, subjektet opozitare kanë pamundësuar punën e Kuvendit, me kërkesën që kryeministri Mustafa t’i anulojë këto marrëveshje.

Top Channel